Aktori fitues i Oscar-it, Ke Huy Quan, i cili këtë herë i jep zë pit vajperit Gary De’Snake në animacionin komik “Zootopia 2”, thotë se filmi mbart një mesazh të fortë për rëndësinë e ndarjes së emocioneve dhe kërkimit të mbështetjes emocionale. Ai tregon për Reuters se, i rritur në një familje tradicionale kineze, ishte mësuar t’i mbante ndjenjat për vete, diçka që sot e konsideron të pashëndetshme.
Sipas tij, filmi u krijon shikuesve mundësinë të reflektojnë mbi rëndësinë e të dëgjuarit dhe të ndarjes së përvojave për të rritur empatinë.
“Zootopia 2” vazhdon historinë e filmit të suksesshëm të vitit 2016, ku oficerja e re e policisë, lepurushja Judy Hopps (Ginnifer Goodwin), dhe dhelpra mashtruese Nick Wilde (Jason Bateman) bashkohen për të hetuar zhdukjen e disa grabitqarëve. Në vazhdim, Judy dhe Nick nisen në një aventurë të re për të zbuluar të vërtetën rreth personazhit të ri reptilian, Gary De’Snake.
Filmi i dytë është bashkë-drejtuar nga Byron Howard dhe Jared Bush, të cilët punuan edhe në origjinalin. Në kast përfshihen sërish Idris Elba si Shefi Bogo dhe Shakira si ylli pop Gazelle, ndërsa u bashkohen rishtarët Patrick Warburton si kryebashkiaku Brian Winddancer dhe Fortune Feimster si kastorkja Nibbles Maplestick.
Në këtë kapitull të ri, Judy punëtore e palodhur dhe Nick tipikisht i qetë duhet të pranojnë dallimet mes tyre për t’u bërë një ekip më i fortë. Bateman thekson se mesazhi kryesor është se “dallimet janë një përparësi” për këdo që ka guximin e kuriozitetin të bashkëpunojë me dikë ndryshe nga vetja.
Edhe Howard shton se marrëdhënia profesionale mes dyshes duhej të pasqyronte si anët pozitive ashtu edhe sfidat, duke theksuar se secili mbart bagazhin e vet nga e kaluara. Ai e krahason këtë edhe me punën ekipore që kërkon vetë krijimi i filmit: “Secili prej nesh ka superfuqi.”
Personazhe të ndryshme në film duhet të tregohen të brishtë dhe të komunikojnë nevojat e tyre përpara se të bashkohen si grup, diçka që aktorja Feimster e sheh si një mesazh aktual dhe të nevojshëm për publikun./mxh
