Last Updated on 27/12/2025 by Monika
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka zhvilluar takimin e paralajmëruar me demokratët në qytetin e Shkodrës, ku ka reaguar me tone të ashpra ndaj mesazhit të shpërndarë nga zyrat e PD-së, që u bënte thirrje anëtarëve të mos merrnin pjesë në këtë takim, me pretendimin se ai ishte i organizuar nga kryebashkiaku Benet Beci.
Gjatë fjalës së tij, Salianji akuzoi drejtues të Partisë Demokratike se po përpiqen të ushtrojnë presion mbi bazën dhe të pengojnë mbledhjen e demokratëve të pakënaqur. “Rrogëtarët e PD nuk ju njohin dhe nuk duan t’i shohin sallat plot, që nuk mbushen prej nesh apo prej meje, por prej pakënaqësisë që ka çdo demokrat,” u shpreh ai, duke shtuar se kontributi, sakrifica dhe merita e anëtarëve të partisë po shpërfillen, ndërsa rregullat e përcaktuara në statut, sipas tij, “hidhen në kosh të plehrave”.
Salianji kritikoi ashpër atë që e quajti sjellje të “kolltukofagëve”, të cilët, sipas tij, janë të fiksuar pas karriges dhe mendojnë se mund të ushtrojnë presion përmes deklaratave publike. “Mendojnë se na bëjnë presion duke thënë çudira në publik, por e kanë gabim,” deklaroi ai.
Në vijim, Salianji theksoi se personalisht nuk i nënshtrohet presionit, duke sjellë si shembull edhe përballjet e tij me qeverinë. “Presionin nuk e njoh. Nuk më bëjnë dot presion as njerëz më të rëndësishëm se këta. Nuk më bëri presion as Rama në burg, ku më vendosi regjimi,” tha ai./mxh
