Last Updated on 27/07/2025 by adminfjala
Në vitin 1586, eksploruesi dhe oborrtari anglez Sir Walter Raleigh solli në Angli duhanin e parë nga kolonitë e Virxhinias, duke shënuar fillimin e një zakoni që do të ndryshonte jo vetëm zakonet e shoqërisë evropiane, por edhe historinë globale të konsumit dhe industrisë.
Duhani, tashmë i përdorur prej shekujsh nga popujt indigjenë të Amerikës, kishte filluar të tërhiqte vëmendjen e europianëve që prej eksplorimeve të para spanjolle dhe portugeze. Por ishte Raleigh ai që e përhapi dhe e bëri të modës pirjen e duhanit në oborrin mbretëror të Anglisë, duke e prezantuar atë si një simbol të sofistikimit dhe prestigjit aristokratik.
Në dekadat dhe shekujt që pasuan, përdorimi i duhanit u përhap me shpejtësi në të gjithë Evropën dhe më tej. Fillimisht u konsumua në formë gjetesh për tymosje apo përtypsh, por me avancimin e teknologjisë, veçanërisht pas Revolucionit Industrial, prodhimi masiv i cigares e bëri duhanin të lirë, të përballueshëm dhe jashtëzakonisht të popullarizuar në shtresat e gjera të shoqërisë.
Për pjesën më të madhe të shekullit XX, duhani nuk ishte thjesht një zakon personal – ai u kthye në një industri gjigante me ndikim të madh ekonomik, kulturor dhe politik. Reklamat e duhanit dominojnë mediat, ndërsa pirja e tij shfaqej si simbol viriliteti, bukurie apo rebelimi.
Megjithatë, entuziazmi për të u zbeh me zbulimet shkencore të viteve 1950–1960, kur filluan të publikoheshin rezultatet e para të studimeve që lidhnin konsumimin e duhanit me sëmundje të rënda si kanceri i mushkërive, sëmundjet e zemrës dhe bronkiti kronik. Më pas, në shumë vende, filluan fushatat ndërgjegjësuese, paralajmërimet shëndetësore në paketimet e cigareve dhe kufizimet e reklamimit.
Për më shumë se katër shekuj, duhani ka qenë një produkt që ka shkaktuar varësi, pasuri, sëmundje dhe debat. Historia e tij fillon me një udhëtim kolonial dhe përfundon në qendër të një prej përballjeve më të mëdha mes industrisë dhe shëndetit publik. Dhe gjithçka nisi në vitin 1586, kur Sir Walter Raleigh e solli për herë të parë në brigjet e Anglisë… një erë të re, me aromë tymi.
Përgatiti: L.Veizi