Last Updated on 30/08/2026 by Monika
Ministria e Mbrojtjes ka ndarë një përditësim mbi situatën e zjarreve.
Këtë të diel në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 20 vatra zjarri, nga të cilat 7 mbeten aktive dhe 3 janë nën mbikëqyrje.
Vatrat aktive kryesore janë të përqendruara në Tiranë, Dibër, Korçë dhe Durrës.
Në zonën e Dajtit, drejt Qafë-Priskës, vijon puna me 15 zjarrfikës, 9 forca të AdZM-së dhe 20 efektivë ushtarakë, të mbështetur nga një helikopter.
Në qarkun Dibër situata me angazhimin më të madh: në Vajkal janë angazhuar 38 forca të MZSH-së dhe 30 efektivë të FA-së, ndërsa në Sllatinë 91 forca; aktive mbeten gjithashtu vatrat në Lundre të Matit, ku ndërhyri një helikopter i FA-së, dhe në Ballenjë të Martaneshit, në një zonë të mbrojtur.
Në Qafën e Lugut, Vithkuq, vatra në sipërfaqe pyjore do të monitorohet gjatë natës për shkak të terrenit të vështirë dhe pamundësisë së ndërhyrjes në orët e vona.
Në Zallë, Fushë-Krujë, vatra e riaktivizuar është vënë nën kontroll pas angazhimit të MZSH-së, forcave bashkiake dhe 30 efektivëve të FA-së. Nuk raportohen zona të banuara në rrezik.
Ndërkohë, vatrat në malin e Dardhës dhe malin e Qukësit po mbahen në mbikëqyrje, ndërsa gjatë ditës janë shuar plotësisht zjarret në Strikçan dhe Nivicë./mxh
