Dëshmia e re e një ish-zyrtari të lartë të diplomacisë britanike ka shtuar presionin ndaj kryeministrit Keir Starmer, duke ngritur pikëpyetje të reja mbi një emërim të diskutueshëm diplomatik.
Gjatë një seance parlamentare, ish-zyrtari i Ministrisë së Jashtme, Olly Robbins, hodhi poshtë përgjegjësinë për emërimin e Peter Mandelson si ambasador në Shtetet e Bashkuara, një vendim që ka shkaktuar debat për shkak të lidhjeve të tij të mëparshme me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein.
Kjo çështje ka nxitur përplasje të forta politike në Britaninë e Madhe, me analistë që flasin për një situatë që mund të rëndojë më tej pozitën e Starmer. Vetë kryeministri ka pranuar se ishte “gabim” emërimi i Mandelsonit dhe ka shprehur keqardhje, por njëkohësisht ka fajësuar zyrtarët e ministrisë për mosinformim lidhur me këshillat negative nga organet e verifikimit të sigurisë.
Nga ana tjetër, Robbins, i shkarkuar së fundmi pas humbjes së besimit nga qeveria dhe ministrja e Brendshme Yvette Cooper, ka mbrojtur rolin e tij duke sugjeruar se përgjegjësia nuk qëndron vetëm tek administrata.
Ndërkohë, debatet janë thelluar edhe më tej pas deklaratave të gazetares Sienna Rodgers, e cila theksoi se Downing Street kishte mbështetur edhe një tjetër kandidaturë të diskutueshme për post diplomatik, atë të Matthew Doyle, ish-drejtor komunikimi i Starmer.
Doyle më herët ishte larguar nga Partia Laburiste për shkak të lidhjeve me një person të dënuar për krime seksuale, ndërsa vetë ai ka kërkuar falje për veprimet e tij.
Analistët paralajmërojnë se këto zhvillime mund të kenë pasoja politike për Starmer, ndërsa çështja vazhdon të dominojë debatin publik në Mbretërinë e Bashkuar./mxh
