Nga Eduard Zaloshnja
Në periudhën prill-maj, Instituti Ndërkombëtar Republikan (IRI), me qendër në Uashington, zhvilloi një sondazh në Shqipëri me 1200 të anketuar në të gjithë territorin e vendit. Kampioni u kolaudua statistikisht që të përfaqësonte të gjithë popullsinë e rritur të vendit, me maksimum të gabimit statistikor +/- 3.1% (https://www.iri.org/resources/albania-survey-of-public-opinion-april-may-2026/).
Ndër pyetjet e shumta në sondazhin e IRI-t, ishte edhe kjo pyetje për qeverinë: “Cila është arritja më e rëndësishme e qeverisë aktuale?”, për të cilën të anketuarit ishin të lirë të jepnin përgjigje krejt spontane. Vetëm 33% u përgjigjën “Asnjë”. Ndërkohë, 10% as nuk përmendën ndonjë arritje dhe as nuk i mohuan arritjet. Nga ana tjetër, plot 57% përmendën arritje të qeverisë (shihni grafikun e mëposhtëm).

Kur të anketuarve iu kërkua të jepnin një vlerësim të përgjithshëm për punën e qeverisë, 49% anonin nga vlerësimi pozitiv dhe 49% nga vlerësimi negativ. Që do të thotë se tek 49-përqindëshi negativ mund të përmblidhen 33% që nuk shohin asnjë arritje të qeverisë, 10% që janë të dyzuar për arritjet e saj, dhe 6% që shohin ndonjë arritje, por sidoqoftë anojnë nga vlerësimi negativ për të.
Meqë kampioni statistikor i IRI-t e përfaqëson statistikisht popullsinë e rritur të vendit, mund të ekstrapolohet me afërsi se rreth 930 mijë banorë të rritur këtu anojnë nga vlerësimi pozitiv për qeverinë, rreth 625 mijë nuk shohin asnjë arritje të qeverisë, rreth 190 mijë janë të dyzuar për arritjet e saj, dhe rreth 115 mijë shohin ndonjë arritje, por sidoqoftë anojnë nga vlerësimi negativ për të.
