Nga Spartak Ngjela
Sot SPAK ka proceduar nën akuzë penale 33 zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, të akuzuar për korrupsion; dhe kjo na bën të kuptojmë se SPAK po krijon një atmosferë të re në lidhje me drejtësinë dhe personalitetin e shtetit në Shqipëri.
I.
Pikërisht për këtë arsye, na duhet të theksojmë se korrupsioni i lartë shtetëror në kohët moderne i ka çuar deri në falimentim politik dhe shoqëror shumë shtete në Evropë.
Kurse korrupsioni kaq i lartë dhe kaq i thellë sot në Shqipëri nuk mund të përjashtohet se ka pasur edhe mbrojtjen apo financimet e shteteve që janë ose kanë qenë në armiqësi me Republikën e Shqipërisë.
Prandaj SPAK dhe BKH duhet ta thellojnë shumë qartë hetimin e këtij krimi, i cili, po të vijonte me këtë ritëm, pas dhjetë vitesh do ta çonte Shqipërinë drejt një shteti të drejtuar tërësisht nga krimi; gjë që sigurisht do ta detyronte popullin shqiptar ta humbiste historinë e tij dhe të ardhmen e një shteti të drejtë e të pavarur.
II.
Nëse sot e shohim korrupsionin e lartë shtetëror në Shqipëri me një arsyetim të thellë juridik, në funksion të hetimit të krimit shtetëror që, sipas skemës së tij, synon të shpërbëjë strukturën kriminale korruptive në Shqipëri, e cila është e lidhur ngushtë edhe me strukturën aktuale politike, atëherë mund të themi me siguri se Shqipëria dhe shoqëria shqiptare kanë hyrë në rrugën e shpëtimit nga hordhitë antishqiptare. Këto, pasi e lanë rrugën e forcës si dështim, krijuan me bindje skemën e falimentimit të Shqipërisë nëpërmjet një korrupsioni masiv.
Por ja që aleanca e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kapi situatën dhe tani, me ndihmën e saj, në Shqipëri ka filluar beteja e tretë e shqiptarëve me antishqiptarinë, e cila në këtë korrupsion masiv po drejtohej kryesisht nga vetë shqiptarët e korruptuar, në të gjitha qeveritë që kanë kaluar në Shqipëri në njëzet vitet e fundit.
Po ashtu, duhet theksuar se koha për rifitimin e historisë patriotike të Shqipërisë ka filluar dhe kjo nuk do të ndalojë.
Megjithatë, për një shtet nuk është e lehtë ta fitojë shpejt luftën kundër korrupsionit të lartë shtetëror, i cili gjithmonë vepron në bashkëpunim me krimin e organizuar.
Prandaj edhe SPAK duhet të inkurajohet me të gjitha mjetet mediatike, sepse ai tani është i angazhuar tërësisht në një luftë për çlirimin e vendit tonë nga korrupsioni i lartë shtetëror, i cili sot ka pushtuar shtetin dhe ekonominë e Shqipërisë./KM
