Thomas Strakosha po konfirmohet si një nga lojtarët më të rëndësishëm të AEK-ut gjatë këtij sezoni. Portieri 30-vjeçar shqiptar ka qenë titullar i rregullt që nga fillimi i kampionatit, duke grumbulluar rreth 3 mijë minuta në të gjitha kompeticionet, përfshirë ndeshjet e kampionatit dhe ato evropiane.
Një nga elementët më të spikatur të sezonit të tij janë penalltitë e pritura. Strakosha ka ndalur tre goditje nga pika e bardhë në transfertë, fillimisht ndaj Kifisia në Peristeri, më pas në derbin me Panathinaikos dhe së fundmi përballë PAOK. Këto ndërhyrje kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në rezultatet e skuadrës, duke kontribuar në dy fitore dhe një barazim.
Përtej penalltive, Strakosha ka regjistruar 17 ndeshje pa pësuar gol në 33 paraqitje sezonale. Nga këto, 12 kanë ardhur në kampionat dhe pesë në arenën evropiane, konkretisht në Konferencë Ligë. Ai ka qenë vendimtar edhe në sfida të tjera të rëndësishme, përfshirë përballjen në Bruksel ndaj Anderleht, ku ndërhyrjet e tij ndihmuan ekipin të siguronte rezultat pozitiv, si dhe në transfertën në Turqi ndaj Samsunspor. Një tjetër moment i veçantë ishte ndërhyrja në minutat e fundit ndaj Asteras Tripolis, që ruajti fitoren minimale të ekipit të tij.
Sipas të dhënave statistikore, mesatarja e golave që ai ka pësuar është 0,65 për ndeshje, ndërkohë që treguesi i golave të pritshëm kundër, është 0,98. Kjo tregon se portieri ka performuar mbi pritshmëritë statistikore.
Mesatarisht ai përballet me 3,08 goditje në portë për ndeshje dhe realizon 2,42 pritje, me një përqindje të konsiderueshme të ndërhyrjeve që kërkojnë reagim të shpejtë. Edhe me topin në këmbë paraqitet i saktë, me 67 për qind saktësi në pasimet e gjata.
Stabiliteti personal dhe klima pozitive në skuadër janë faktorë që vetë lojtari i ka përmendur si pjesë e formës së tij aktuale. Deri në këtë fazë të sezonit, Strakosha mbetet pika referuese në portën e AEK-ut, duke ofruar siguri dhe vazhdimësi në paraqitje si në Greqi ashtu edhe në Evropë./mxh
