Last Updated on 02/03/2026 by Anisa
Gjatë një konference për mediat të zhvilluar pas protestës kombëtare të opozitës të mbajtur të shtunën në Tiranë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet nga gazetarët lidhur me hedhjen e bombave molotov drejt ish‑vilës së diktatorit Enver Hoxha, e cila u sulmua nga protestuesit kur brenda saj ndodheshin artistë të huaj dhe staf.
Berisha mohoi se protestuesit kishin informacione të sigurta dhe tha se, sipas tij, disa persona të policisë së infiltruar u kishin thënë protestuesve se kryeministri Edi Rama banonte në atë adresë.
“Kanë futur njerëz të policisë kriminale që t’u thonë protestuesve se banon Rama. Fillimi i sulmit ka ardhur me besimin se aty është Rama,” deklaroi ai, duke justifikuar kështu arsyen pse protestuesit janë fokusuar pikërisht në atë godinë.
Ai gjithashtu ironizoi teksa tha se si mund të kthehet në një qendër kulture vila e ish diktatorit, duke shtuar se kjo është një fyerje e madhe për të internuarit dhe të persekutuarit.
“Qendër kulturore vila e Enver Hoxhës është fyerje e madhe për mbi 7 mijë të ekzekutuar për vlerat e njeriut, për 40 mijë të internuar, e 120 mijë të persekutuar. Ajo qendër kulturore vetëm mendja e sëmurë e Ramës, që e adhuron Hoxhën, mund ta bënte.
Ai mund të ishte muze u torturave çnjerëzore të diktaturës. Prania e atyre dy të huajve është keqardhje e madhe për mua, se nuk dua të krijoj shqetësime. Unë e mora vesh se është qendër kulturore pasi ndodhi ngjarja. Se çfarë qendre kulturore mund të jetë shtëpia e diktatorit e Edi Rama. Duhet qendër e antikulturës”, tha Berisha.
Aktualisht vila, e njohur si Vila 31 x ArtExplora, përdoret si rezidencë ndërkombëtare arti nën menaxhim të fondacionit francez Art Explora dhe në momentin e incidentit brenda saj ndodheshin rreth 10 persona, shumica artistë nga vende të ndryshme të botës si Polonia, Greqia, Turqia, Kosova, Kina, Bangladeshi dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe anëtarë të stafit, të cilët, sipas mediave, nuk pësuan lëndime të rënda.
Sulmi me molotovë shkaktoi dëme materiale dhe u dënua si nga qeveria shqiptare ashtu edhe nga Ambasada e Francës në Tiranë, e cila e cilësoi rrezikimin e jetës së rezidentëve si të papranueshëm dhe theksoi se e drejta për të protestuar nuk mund të justifikojë dhunën e tillë.
“Ne dënojmë me forcë aktet e dhunës që mbrëmë arritën një nivel të papranueshëm me sulmin ndaj Vila 31 – Fondacioni Art Explora. Vila 31 është që nga viti 2025 një rezidencë për artistë ndërkombëtarë, e menaxhuar nga një fondacion francez . Qëllimi i saj është të nxisë shkëmbimet kulturore dhe të shërbejë si urë lidhëse mes Shqipërisë dhe pjesës tjetër të Evropës. Organizatorët nuk mund ta injoronin këtë fakt. Vënia në rrezik e rezidentëve dhe dëmet e shkaktuara janë të patolerueshme. E drejta për të protestuar nuk është e pajtueshme me asnjë formë dhune. U bëjmë thirrje organizatorëve të tregojnë përgjegjësi”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Policia ka arrestuar disa persona në lidhje me ngjarjen dhe hetimet përfshijnë akuzat për hedhje molotovësh, shkaktim zjarri dhe shkelje të rendit publik./A.D
