Nga Leonard Veizi
Të jesh shtrirë në komoditetin e dhomës së ndenjes dhe të shohësh një film ku një pastruese tualetesh u jep leksione mbijetese disa milionerëve, nuk është thjesht zbavitje pasditeje. Është një përballje e pamëshirshme me pasqyrën e shoqërisë sonë. Dhe me këtë rast mundohesh të përfitosh sadopak, edhe pse jeta mund të mos të sprovojë asnjëherë duke të hedhur në një vend të shkretë ku duhet të mbijetosh me mjete rrethanore…
…”Triangle of Sadness” i Ruben Östlund nuk është vetëm një komedi satirike me të qeshura të hidhura, por një autopsi e hapur e pushtetit, klasave shoqërore dhe moralit njerëzor. Leksioni i tij është i qartë që në krye: morali dhe idealet tona janë një luks që varet nga rrethanat, ndërsa instinkti për të sunduar mbetet i njëjtë te të gjithë. Në këtë botë nuk ka heronj dhe as viktima të pafajshme – ka vetëm njerëz që ndërrojnë vendet në piramidën e pushtetit.
Botoksi dhe kolonizimi i intimitetit
Titulli është metafora e parë goditëse: “trekëndëshi i trishtimit” është rrudha mes vetullave, ajo që klinikat estetike premtojnë ta zhdukin me botoks. Shoqëria moderne nuk merret me trishtimin dhe shkakun e tij, por me fshirjen e shenjës që ai lë në fytyrë – lufton simptomën, jo sëmundjen. Pikërisht këtë bën Östlund: heq botoksin nga fytyra e Perëndimit.
Në aktin e parë njohim Karlin dhe Jajën, dy modele që jetojnë në universin steril të rrjeteve sociale. Të rinj, të bukur dhe të suksesshëm, jeta e tyre është një vitrinë e kuruar me kujdes. Por mjafton një faturë restoranti për të zbuluar se dashuria e tyre është kthyer në negociatë financiare.
Karli ndihet i poshtëruar që duhet të paguajë darkën, ndërsa Jaja, e cila fiton shumë më tepër se ai, e sheh famën si kapital dhe martesën si një objektiv racional. Që këtu jepet diagnoza e parë e filmit: ekonomia ka kolonizuar edhe intimitetin; dashuria ka hyrë zyrtarisht në bursë.
Elitat dhe debati steril mbi rrënoja
Skena zhvendoset më pas në një superjaht luksoz ku hipin miliarderë, oligarkë dhe tregtarë armësh. Aty është Dimitri, oligarku rus krenar për pasurinë e tij; çifti i moshuar Uinston dhe Klementina, të pasuruar duke prodhuar granata, por që sillen si gjyshër të ëmbël; Tereza, e cila pas një goditjeje në tru mund të shqiptojë vetëm fjalinë në gjermanisht “In den Wolken” – “Në re” – e kthyer në simbol të pafajësisë në një botë ku askush nuk dëgjon më njeri; dhe Jarmo, milioneri i teknologjisë që beson se mund të blejë gjithçka.
Ndërsa pasagjerët konsumojnë luks pa kufi, nën kuvertë instalohet diktatura e kapitalizmit: stafi urdhërohet të plotësojë çdo tekë të të pasurve, madje edhe të hidhet në det për argëtimin e tyre, duke lënë ushqimin të prishet. Parimi është i qartë: sistemi mund të shkatërrohet, por klienti nuk duhet të pakënaqet.
Kur stuhia godet jahtin dhe ujërat e zeza përzihen me luksin prej miliona dollarësh, kapiteni amerikan Tomas Smith dhe oligarku rus Dimitri dehen dhe zhvillojnë një debat absurd mbi kapitalizmin dhe komunizmin përmes altoparlantëve. Është një nga metaforat më therëse të filmit: elitat vazhdojnë debatet ideologjike sterile edhe kur anija po mbytet fizikisht në mbeturinat e veta. Ironia arrin kulmin kur piratët sulmojnë anijen dhe çifti i prodhuesve të armëve, Uinstoni dhe Klementina, vriten nga një granatë e prodhuar pikërisht nga kompania e tyre.
Përmbysja e fronit, leksioni i vërtetë i mbijetesës
Fundosja e jahtit është pika ku filmi nis leksionin e tij më të thellë. Në ishull mbërrijnë vetëm pak të mbijetuar. Miliarderët dhe influencuesit nuk vlejnë më asgjë – orët luksoze nuk kapin peshk dhe kartat e kreditit nuk ndezin zjarr.
E vetmja që di të mbijetojë është Abigail, pastruesja e tualeteve.
Ajo di të peshkojë, të ndezë zjarr e të gatuajë. Brenda pak ditësh hierarkia përmbyset. Ata që dikur urdhëronin, tani lypin një copë peshk. Abigail vendos se kush ha, kush fle dhe kush shpërblehet. Karli pranon të bëhet partneri i saj seksual në këmbim të ushqimit, duke vërtetuar se bukuria mbetet monedhë këmbimi edhe në egërsirë, ndërsa Jaja kupton se ndjekësit e saj në rrjete sociale nuk kanë më asnjë vlerë.
Östlund mban këtu një qëndrim editorial të qartë: filmi nuk e idealizon të varfrin dhe nuk e paraqet si shenjtor. Sapo Abigail merr pushtetin, ajo sillet si çdo sundues tjetër para saj. Filmi nuk sulmon thjesht një klasë, por vetë mekanizmin e pushtetit.
Pyetja e pakëndshme
Kur Jaja dhe Abigail zbulojnë se pak metra më tej ndodhet një resort luksoz dhe se shpëtimi ka qenë pranë gjatë gjithë kohës, Abigail ngrin. E kupton se kthimi në qytet do ta rikthejë në fundin e piramidës: një pastruese tualetesh pa zë dhe pa pushtet. Në ishull ajo është mbretëreshë; në qytet është askushi. Prandaj ngre një gur mbi kokën e Jajës.
Filmi nuk na tregon nëse e godet, sepse pyetja e vërtetë nuk është fati i Jajës, por një dilemë shumë më e pakëndshme për spektatorin: çfarë do të bënim ne, nëse pushteti dhe statusi ynë do të vareshin nga asgjësimi i tjetrit?
Në planin e fundit, Karli vrapon i plagosur nëpër xhungël drejt një qytetërimi që ndoshta nuk ekziston më. “Trekëndëshi i Trishtimit” rrëzon mitin se pasuria është meritë, se varfëria është virtyt apo se morali ndryshon sipas klasës. Leksioni i tij i fundit është i hidhur: ndryshojnë vetëm rrobat dhe rolet në skenë, ndërsa froni i pushtetit dhe instinkti njerëzor për të sunduar mbeten po të njëjtët.
