Nga treni elektrik që mbeti në letër, te aeroporti i Vlorës që nuk priti asnjë fluturim, nga premtimet për naftën e Shpiragut te dëmshpërblimet e vonuara për banorët e prekur nga zjarret, viti 2025 u shënua nga një seri zotimesh elektorale që nuk u materializuan. Si çdo vit zgjedhor në Shqipëri, fushata u shoqërua me projekte madhore, afate ambicioze dhe deklarata optimiste. Në fund të vitit, bilanci real tregon kantierë të hapur, projekte të ngecura dhe qytetarë të zhgënjyer.
Treni elektrik që mbeti kantier
Në prezantimet zyrtare dhe pamjet 3D, Tirana, Durrësi dhe Rinasi lidhen nga një hekurudhë moderne elektrike. Në realitet, prej më shumë se katër vitesh, projekti ekziston vetëm si kantier i papërfunduar. Afatet janë shtyrë disa herë dhe tashmë nisja e funksionimit të trenit elektrik është premtuar për fundin e vitit 2026.
Aeroporti i Vlorës, vetëm një fluturim testues
Në prag të zgjedhjeve, qeveria riktheu skenarin e njohur elektoral me uljen e avionit të parë testues në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Premtimi ishte se fluturimet do të nisnin brenda vitit 2025. Megjithatë, deri në mbyllje të vitit, i vetmi avion që preku pistën mbeti ai testues i 8 majit.
Shpiragu dhe nafta që nuk erdhi
Zbulimi i naftës në Shpirag u promovua si një sukses historik, madje u cilësua si “naftë premium, e krahasueshme me atë të Arabisë Saudite”. Por testimet e kryera nga kompania SHELL nuk dhanë rezultatet e pritshme. Kompania po përgatitet të largohet nga Shqipëria, ndërsa ideja e Fondit Sovran dhe premtimet për një epokë të re ekonomike mbetën në letër.
Ujë 24 orë, një premtim i ricikluar
Premtimi për furnizim me ujë të pijshëm 24 orë në ditë shoqëron çdo fushatë që prej vitit 2013. Edhe në vitin 2025, mungesa e ujit mbetet një problem i përditshëm për shumë qytetarë. Afati i radhës për realizimin e këtij premtimi është shtyrë për në vitin 2030, ku sipas deklarimeve, do të mbulohen 100% e qyteteve dhe 80% e fshatrave.
Shqipëria pa avionë zjarrfikës
Gjatë fushatës elektorale, kryeministri Edi Rama premtoi dy avionë zjarrfikës për sezonin veror. Premtimi nuk u mbajt. Vera e 2025-ës u shënua nga zjarre të shumta që dogjën mbi 60 mijë hektarë pyje dhe kullota, ndërsa ndërhyrjet ajrore u realizuan vetëm falë ndihmës së vendeve të BE-së përmes Mekanizmit të Mbrojtjes Civile.
Dëmshpërblimet që nuk mbërritën
Banorëve të prekur nga zjarret në Gramsh dhe Delvinë iu premtua rindërtim dhe kompensim i plotë. Në fund të vitit, shumë prej tyre ende presin. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile konfirmoi se inventarizimi i dëmeve, përfshirë banesat e shkatërruara dhe bagëtitë e humbura, nuk është përfunduar.
Shifrat e fryra për shkollat
Në nisje të fushatës, kryeministri deklaroi se ishin ndërtuar 450 shkolla të reja në dhjetë vite. Verifikimet tregojnë se në realitet janë rindërtuar ose zgjeruar vetëm 43 institucione arsimore. Shifra zyrtare përfshin çdo ndërhyrje, nga rikonstruksione minimale deri te lyerja e ambienteve.
Rindërtimi pas tërmetit, ende pa fund
Gjashtë vite pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, rindërtimi nuk ka përfunduar plotësisht në terren. Qeveria raporton shpenzime prej 131 miliardë lekësh dhe realizim të rreth 90% të projekteve, por qindra familje vijojnë të jenë pa strehë të përhershme. Afatet shtyhen çdo vit dhe çdo përvjetor shoqërohet me justifikime të reja.
“Flamuri Blu” dhe realiteti mjedisor
Ministria e Mjedisit premtoi arritjen e standardit europian “Flamuri Blu” për plazhet shqiptare. Në kontrast, raportet e Bashkimit Evropian e rendisin Shqipërinë në fund të listës për cilësinë e ujërave bregdetare, për shkak të derdhjes së ujërave të zeza, mungesës së impianteve të trajtimit dhe menaxhimit të dobët mjedisor.
Legalizimet, premtimi pa afat
Procesi i legalizimeve mbetet një nga zotimet më të vjetra dhe më të përsëritura në fushata. Që nga viti 2006, dosjet janë shtuar, afatet janë zgjatur dhe qytetarët vijojnë të presin. Legalizimet kanë shërbyer shpesh si mjet elektoral, pa një zgjidhje përfundimtare.
Bilanci i vitit
Ky artikull përmbledh vetëm 10 raste, por gjatë vitit 2025 janë verifikuar gjithsej 87 premtime të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë. Nga to, 52 rezultuan të pambajtura, vetëm 6 u realizuan plotësisht, ndërsa 29 pjesërisht. Shifrat nxjerrin në pah hendekun e madh mes premtimeve elektorale dhe realitetit, veçanërisht në një vit zgjedhor si ky që u mbyll./K.M
