“Days of Ash” ka dalë tani, një përgjigje ndaj ngjarjeve globale që përfshijnë Ukrainën, SHBA-në, Izraelin dhe Iranin.
U2 publikoi në mënyrë surprizë EP-në e re, “U2 – Days of Ash”, këtë të mërkurë të Hirëve, i cili përmban pesë këngë të reja dhe një poezi.
Ky është një projekt anësor i albumit që planifikohet të publikohet në fund të vitit 2026, i nxitur nga nevoja për të ofruar një përgjigje të menjëhershme ndaj ngjarjeve globale dhe i frymëzuar nga shumë njerëz të jashtëzakonshëm e të guximshëm që luftojnë në vijën e parë për liri.
Katër nga pesë këngët u kushtohen njerëzve, jeta e të cilëve u ndërpre brutalisht në SHBA, Izrael dhe Iran. Një ushtar ukrainas do të preferonte të këndonte, por është gati të vdesë për lirinë e vendit të tij. Këta janë titujt e këngëve: American Obituary, The Tears of Things, Song of the Future, Wildpeace, One Life at a Time dhe Yours Eternally (me Ed Sheeran dhe Taras Topolia).
“Ka qenë emocionuese për ne të katërt të ishim së bashku në studio gjatë vitit të kaluar… Këngët në ‘Days of Ash’ janë shumë të ndryshme në ndjesi dhe temë nga ato që do të përfshijmë në albumin tonë më vonë këtë vit”, tha Bono. “Këto këngë mezi prisnin të dilnin; mezi prisnin të publikoheshin në botë. Janë këngë sfide, zhgënjimi dhe vajtimi. Këngë festimi do të pasojnë, dhe ne po punojmë mbi to tani… sepse, pavarësisht të gjitha gjërave të tmerrshme që shohim të normalizohen çdo ditë në ekranet tona të vogla, nuk ka asgjë normale në këto kohë të çmendura e të tmerrshme, dhe ne duhet të luftojmë përpara se të mund të kemi besim sërish në të ardhmen. Dhe te njëri-tjetri.”
Larry Mullen Jr. shtoi: “Mendoj se këto këngë të reja janë ndër punët tona më të mira. Që nga fillimet tona, kur punonim me Amnesty dhe Greenpeace, nuk kemi hezituar kurrë të mbajmë një qëndrim. Ndonjëherë kjo mund të shkaktojë probleme, sepse gjithmonë ka reagime negative, por është një pjesë e rëndësishme e asaj që jemi dhe pse ende ekzistojmë.”
The Edge shpjegoi: “Ne besojmë në një botë ku kufijtë nuk fshihen me forcë. Ku kultura, gjuha dhe kujtesa nuk heshten nga frika. Ku dinjiteti i një populli është i panegociueshëm. Ky besim nuk është i përkohshëm. Nuk është një modë politike. Është terreni mbi të cilin qëndrojmë.”
American Obituary rrëfen ngjarjen tronditëse që bota pa në Minneapolis, Minesota, më 7 janar 2026, kur Renée Nicole Macklin Good, një nënë me tre fëmijë, u vra nga afër ndërsa ushtronte të drejtën e saj për të protestuar në mënyrë paqësore — një e drejtë e mbrojtur nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.
The Tears of Things bazohet në një libër të fratit françeskan Richard Rohr, i cili, përmes shkrimeve të profetëve hebrenj, shqyrton se si është e mundur të jetohet me dhembshuri në një epokë dhune dhe dëshpërimi. Kënga imagjinon një bisedë midis Davidit të Michelangelo-s dhe krijuesit të tij.
Protagonistja e këngës “Song of the Future” është gjashtëmbëdhjetëvjeçarja Sarina Esmailzadeh, një nga mijëra nxënëse iraniane që dolën në rrugë në vitin 2022 pas vdekjes së Jina Mahsa Amini, e cila u arrestua nga e ashtuquajtura “policia e moralit” për mosmbajtjen e hixhabit.
“One Life at a Time” u shkrua për Awdah Hathaleen, një baba palestinez me tre fëmijë. Aktivist paqësor dhe mësues i gjuhës angleze, Awdah u vra në fshatin e tij në Bregun Perëndimor nga kolonisti izraelit Yinon Levi më 28 korrik 2025. Awdah ishte konsulent në dokumentarin fitues të çmimit Oscar “No Other Land”.
“Yours Eternally” paraqet Bono dhe The Edge të shoqëruar në vokal nga muzikanti ukrainas i shndërruar në ushtar Taras Topolia dhe Ed Sheeran. Në pranverën e vitit 2022, pas pushtimit rus të Ukrainës, Bono dhe The Edge udhëtuan në Kiev për të luajtur një koncert në një stacion metroje, me ftesë të Presidentit Zelensky. Disa ditë më parë, Ed kishte lidhur Taras Topolia dhe grupin e tij Antytila me Bonon. Taras është frymëzimi pas “Yours Eternally”, e shkruar në formën e një letre nga një ushtar aktiv me një shpirt të guximshëm e të gjallë, që i përshtatet shumë Ukrainës. “Yours Eternally” do të shoqërohet gjithashtu nga një dokumentar i shkurtër 4,5-minutësh, i drejtuar nga regjisori ukrainas Ilya Mikhaylus, i cili do të publikohet më 24 shkurt, në përvjetorin e katërt të pushtimit rus të Ukrainës.
“Days of Ash” përfshin një lexim të “Wildpeace” — një poezi nga autori dhe poeti izraelit Yehuda Amichai — nga artistja nigeriane Adeola e “Les Amazones d’Afrique”, me muzikë nga U2 dhe Jacknife Lee.
EP-ja shoqërohet me rikthimin e “Propaganda”, një revistë dixhitale me botim dhe tirazh të kufizuar. Dyzet vjet më parë, në shkurt të vitit 1986, numri i parë i “Propaganda” mbërriti në kutitë postare të fansave të grupit. Publikimi titullohet “U2 – Days of Ash: Six Postcards From The Present… Wish We Weren’t Here” dhe përfshin intervista ekskluzive me regjisorin e “Yours Eternally”, Ilya Mikhaylus, producentin Pyotr Verzilov, muzikantin dhe ushtarin Taras Topolia, si dhe me vetë Bonon.
Burimi: ansa.it/ Përgatiti: L.V
