Last Updated on 13/03/2026 by Anisa
Një studim me 160,000 persona dëshmon se ushqimet ultra të përpunuara shkaktojnë një rënie të rrezikshme të dendësisë së kockave.
Nga kosi me aromë e ngjyra, te picat e ngrira, drithërat e mëngjesit, ëmbëlsirat dhe biskotat e gatshme, ushqimet ultra të përpunuara janë tani pjesë e “menusë” së miliona njerëzve në të gjithë botën pasi ato janë një zgjidhje e lehtë dhe shpesh e lirë për konsum të shpejtë të ushqimit.
Megjithatë, vitet e fundit, konsumimi i tepërt i ushqimeve ultra të përpunuara është lidhur me probleme serioze shëndetësore si diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe forma të caktuara të kancerit.
Dendësi më e ulët e kockave
Tani një studim i ri nga studiuesit në Universitetin Tulane, i botuar në revistën shkencore The British Journal of Nutrition , tregon se konsumi i lartë i ushqimeve ultra të përpunuara është gjithashtu i lidhur me dendësinë më të ulët të kockave dhe një rrezik në rritje të frakturave.
Për çdo 3.7 porcione ditore të ushqimeve ultra të përpunuara, rreziku i frakturës së legenit rritej me 10.5%.
Edhe pse ajo që përbën një porcion ndryshon në varësi të llojit të ushqimit, në përgjithësi, 3.7 porcionet shtesë të përcaktuara nga studimi korrespondonin me një vakt të ngrirë, një biskotë dhe një kanaçe me pije të gazuar.
“Vullnetarët e studimit u ndoqën për më shumë se 12 vjet. Ne zbuluam se konsumi i lartë i ushqimeve ultra të përpunuara shoqërohej me uljen e dendësisë së kockave në rajone specifike ‘kyçe’ të skeletit, siç është femuri i sipërm dhe shtylla kurrizore lumbare”, tha autori kryesor Lu Qi. Ai shtoi: “Edhe pse studimet e fundit kanë treguar se konsumi i ushqimeve ultra të përpunuara mund të ndikojë në shëndetin e kockave, kjo është hera e parë që kjo marrëdhënie është ekzaminuar drejtpërdrejt tek njerëzit.”
Ushqimet ultra të përpunuara përmbajnë sasi të larta kripe, sheqeri dhe ëmbëlsuesish të tjerë, si dhe yndyrna “të këqija”. Ato zakonisht përmbajnë shumë kalori dhe pak lëndë ushqyese. Ato janë jashtëzakonisht të njohura në të gjithë botën – një shembull tipik është SHBA-ja, ku, sipas Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), në vitin 2023, ushqimet ultra të përpunuara përbënin pothuajse 55% të kalorive të konsumuara çdo ditë nga adoleshentët dhe të rriturit.
Sipas studimit të ri, lidhja negative midis ushqimeve ultra të përpunuara dhe dendësisë së kockave ishte më e fortë tek njerëzit nën 65 vjeç dhe ata që ishin nën peshë (Indeksi i Masës Trupore – BMI – nën 18.5).
BMI i ulët është një faktor rreziku për shëndetin e kockave dhe mund të përforcojë efektin negativ të ushqimeve ultra të përpunuara në dendësinë e kockave.
Lidhja është gjithashtu më e madhe tek njerëzit nën 65 vjeç, pasi ata kanë funksion më të mirë tretës dhe kështu trupat e tyre thithin më shumë elementë të pashëndetshëm që përmbahen në ushqimet ultra të përpunuara, shpjegojnk studiuesit.
