Myrto Uzuni vazhdon të shënojë me rregullsi në startin e këtij sezoni në MLS, duke lënë shenjën e tij për skuadrën e Austin e cila duket se pak nga pak po gjen ritmin e saj për të synuar zonën play-off të kampionatit.
Skuadra teksane luante në transfertë ndaj Minesotës një ndeshje shumë të komplikuar, por ia doli të kalonte shpejt në avantazh pikërisht falë Uzunit. Ky i fundit u tregua i akullt duke ekzekutuar saktësisht një penallti që në minutën e 14 të ndeshjes, për të kaluar në epërsi ekipin e tij.
Për Uzunin ishte goli i 5-të në kampionat, duke u konfirmuar në një formë shumë të mirë në këtë start të edicionit të cilin e ka nisur me një ritëm tjetër në krahasim me atë të një viti më parë, kur sapo ishte transferuar në SHBA.
Sulmuesi që tani është vetëm një gol larg totalit që regjistroi në 29 ndeshjet që luajti vjet në MLS me fanellën e klubit teksan./mxh
