Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi ka folur sot lidhur me protestën kombëtare që do të mbahet më 22 dhjetor. I ftuar në Syri Tv, Këlliçi tha se është momenti që të ketë një aksion dhe protestë shumë të fortë, pasi vendi është në gjendje emergjente.
Deputeti tha se fajtor për këtë situatë është qeveria, largimi i të cilës, tha se do të jetë kërkesa kryesore e protestës së opozitës. Këlliçi foli edhe për kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliajn, për të cilin tha se edhe nga burgu i Durrësit kërkon të vjedhë qytetarët.
“Një protestë kombëtare do të mbahet ditën e hënë, më datë 22. Në situatën ku jemi nuk mund të vazhdojë më sic është. Duhet të ketë një aksion dhe protestë shumë të fortë. Duhet të ketë një radikalizim shumë më të madhë të grupit parlamentar të PD-së, strutkturave dhe PD që duhet të udhëheqë popullin opozitar. Me gjithë pakënaqësite apo vërejtjet që patjetër edhe PD hera-herës lë shkas ta kritikosh por duhet t’i themi të vërtetat.
Por interesi madhor është të largojmë një qeveri që çdo ditë vjedh qytetarët. Veliaj nga burgu kërkon llogari për buxhetin e vitit të ardhshëm. E gjitha bëhet për të vjedhur para qytetarëve. Jemi në emergjencë ndërkombëtare. Ne ose reagojmë sot osë nuk kemi çfarë reagojmë më në muajt në vijim. Ne kemi një bindje që me një protestë të qëndrueshme në shesh, efekti do të jepet por kjo nuk është ajo që do të ndodhë ditën e hënë. Mjafton një protestë permanente që të arrijmë të njëjtin sukses si në Bullgari, Rumani apo Beograd. Unë e kam bindje absolute që Edi Rama do të ketë fat edhe më të keq se vetë Veliaj”, tha Këlliçi./K.M
