Pagat e personelit shkollor dhe veçanërisht të mësuesve e drejtuesve të shkollave, përbëjnë koston më të madhe në arsimin formal në BE. Megjithatë, mësuesit në shumicën e vendeve europiane shpesh konsiderohen të nënpaguar në raport me nivelin e tyre të arsimimit.
Në vitin shkollor 2024/2025, Luksemburgu ishte vendi i BE-së që paguante më së shumti mësuesit në shumicën e niveleve arsimore, si për ata në fillim të karrierës, ashtu edhe për ata në kulmin e Të dhënat vijnë nga Eurydice, rrjeti i informacionit arsimor të financuar nga Komisioni Europian.
Luksemburgu paguante profesionistët në fillim të karrierës së tyre midis 55,000 dhe 62,000 eurove në vit, ndërsa paguante midis 97,000 dhe 109,000 eurove për ata në kulmin e karrierës.
Holanda dhe Gjermania renditeshin të dytat, në varësi të nivelit arsimor ku punon mësuesi dhe fazës së karrierës në të cilën ndodhet.
Nga ana tjetër, Sllovakia, Çekia dhe Hungaria ishin vendet e BE-së që paguanin më pak mësuesit në kulmin e karrierës së tyre.
Në varësi të nivelit arsimor ku jepte mësim mësuesi, Sllovakia paguante punonjësit e saj midis 18,000 dhe 22,000 eurove, ndërsa Hungaria dhe Çekia paguanin deri në 27,000 euro.
Ndërkohë, mësuesit në Greqi dhe Sllovaki fitonin më pak në fillim të karrierës së tyre, me paga deri në 17,000 euro në vit.
Përparimi në karrierë shpesh lidhet me rolet dhe përgjegjësitë e mësuesve, vitet e shërbimit, moshën, nivelin e kualifikimit dhe performancën e përgjithshme.
Sipas shifrave, mësuesve në 11 vende të BE-së u duhen midis 31 dhe 40 vite për të arritur kulmin e karrierës, në varësi të nivelit arsimor.
Vetëm në Danimarkë dhe Finlandë mësuesve u duhen deri në 10 vite pune, në varësi të nivelit arsimor. Për më tepër, mësuesit francezë bëjnë pjesë në grupin e vendeve të BE-së ku pagat nuk arritën të përballonin krizën e kostos së jetesës, duke pësuar një ulje prej 0,61% midis viteve shkollore 2023/2024 dhe 2024/2025.
Në BE, vetëm Rumania (-6,34%), Sllovakia (-4,07%), Italia (-1,60%) dhe Komuniteti Frëngjishtfolës i Belgjikës (-0,71%) regjistruan nivele më të ulëta se Franca./k.m
