Shqipëria është pajisur me sistemet Javelin. Lajmin e jep ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i cili thotë se ato janë siguruar falë bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në një postim në rrjetet sociale ai thotë se Javelin-at do të forcojnë aftësitë mbrojtëse të Forcave të Armatosura shqiptare, rrisin parandalimin, ndërveprueshmërinë me NATO-n dhe sigurinë kombëtare.
“Ta bëjmë të qartë edhe për njerëzit që na ndjekin dhe për publikun e gjerë. Jemi në një nga vendbazimet e forcës së Armatosur, forcës tokësore, nuk kemi nevojë të japim detaje se ku ekzaktësisht, por sapo është kryer dorëzimi i një sasie të parë i sistemit të lëshimit Javelin. Edhe Shqipëria edhe Kosova janë pjesë e kësaj ndihmese dhe bashkëpunimi bilateral me SHBA-të. Sikundër edhe raketat e para antitank që lëshohen nga këto sisteme është e rëndësishme për tre arsye. E para sepse ka të bëjë me një kërkesë të hershme të forcave dhe më në fund po realizohet, e dyta sepse bashkëpunimi me SHBA-të mbetet në themel të forcimit të kapaciteteve tona dhe të rritjes së aftësive mbrojtëse. Pika e tretë e rëndësishme ka të bëjë me aftësimin e personelit tonë të luftimit me të gjitha sistemet, pajisjet teknologjike të përditësuara, ndaj ka këtë domethënie të trefishtë”, tha Vengu./kb