Last Updated on 08/08/2026 by Anisa
Zv. drejtori i Hetimit të Krimeve në Korçë, drejtues Sejfulla Metko, ka dhënë detaje të reja nga vendi i ngjarjes në Korçë, ku u vra 20-vjeçari Joan Zuko. Sipas tij konflikti mes viktimës dhe autorit kishte nisur ditën e sotme rreth orës 14:00, në një lagje pranë vendit ku ndodhi ngjarja.
“Konflikti ndodhi rreth orës 14:00 në një lagje në afërsi të vendit ku ndodhi ngjarja. Ngjarja ka ndodhur në afërsi të banesës së viktimës”, deklaroi Metko. Ai bëri me dije se rreth 15 minuta pas konfliktit, autori i dyshuar është larguar në drejtim të varrezave, bazuar edhe në dëshmitë e personave që kanë qenë pranë zonës
Më tej ai konfirmoi që 20 vjeçari është vrarë me kallashnikov, si edhe që në dorën e tij është gjetur një thikë. Sipas Metkos dy të përfshirët në ngjarje kanë qenë në konflikt edhe më parë, dhe për këtë ishite bë dijeni edhe policia.
“Konflikti ka qenë i mbartur disa kohë më parë ka qenë në ndjekje nga ana jonë”, tha shkurtimisht ai duke mos dhënë më shumë detaje në lidhje me faktin që konflikti ka qenë për motive banale apo më të rënda.
Njoftimi
Rreth orës 16:30, në lagjen nr. 15, në rrugën “Viktor Eftimiu”, Korçë, ka ndodhur një konflikt ndërmjet disa personave, i cili është përshkallëzuar në përdorimin e armës së zjarrit.
Si pasojë e të shtënave, ka humbur jetën shtetasi J. Z., rreth 20 vjeç, banues në lagjen nr. 14, Korçë.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operative të kryera nga shërbimet e Policisë në vendngjarje, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar, i cili është larguar nga vendngjarja menjëherë pas krimit.
Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tij, kanë rrethuar zonën dhe vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Ndërkohë, shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme procedurale, tre shtetas të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku humbi jetën 20-vjeçari.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, dokumentimin ligjor të saj, si dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë./ad
