Last Updated on 18/08/2026 by Anisa
Hetimet për vrasjen e 21-vjeçarit portugez në Ksamil vijojnë me intensitet. Policia e Sarandës ka shoqëruar 42 persona për t’i marrë në pyetje lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm.
Burime bëjnë me dije se nga veprimet hetimore pritet të dalin në dritë edhe persona të tjerë që mund të kenë pasur dijeni ose rol në ngjarje. Në fokus të hetuesve është edhe 29-vjeçari Sokrat Vata, i dyshuar si autor i vrasjes së të riut portugez.
Në kuadër të hetimeve është ndaluar edhe një efektiv policie. Bëhet fjalë për 24-vjeçarin Moisid Matushaj, banues në Gjirokastër, me detyrë Ndihmës Specialist i Hetimit të Krimit në Drejtorinë Vendore të Kufirit Gjirokastër. Ai dyshohet se ka ndihmuar Sokrat Vatën pas kryerjes së krimit.
Ndërkohë, policia ka shpallur në kërkim 36-vjeçarin Bekim Bulica. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, ai dyshohet se ka qenë në vendin e ngjarjes dhe më pas është larguar drejt Tiranës, me qëllim shmangien e hetimit.
Një tjetër pistë që po verifikohet nga hetuesit lidhet me një çift shtetasish turq, të cilët drejtonin automjetin ku dyshohet se ishte fshehur autori pas ngjarjes. Policia po heton rolin e tyre dhe nëse kanë pasur dijeni apo kanë ndihmuar në largimin e autorit. Sipas burimeve, Vata dyshohet se punonte edhe si bodyguard për shtetasin turk.
Paralelisht, grupi hetimor po kqyr kamerat e sigurisë në zonë dhe po merr në pyetje dhjetëra persona, me qëllim zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes dhe motivit të vrasjes.
Deri tani po hetohen dy pista kryesore: një përplasje e çastit mes viktimës dhe autorit, e përshkallëzuar në gjaknxehtësi e sipër, ose një konflikt i mëparshëm për motive të dobëta. Një prej elementeve që po verifikohet është edhe mundësia që në qendër të konfliktit të ketë qenë një femër.
Hetuesit po punojnë për të përcaktuar saktësisht rrethanat, rolin e secilit person të përfshirë dhe motivin që çoi në vrasjen e 21-vjeçarit portugez.
