Last Updated on 24/06/2026 by Anisa
Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale zhvilloi një mbledhje të tensionuar në Tiranë, ndërsa afati i 15 korrikut për dorëzimin e raportit në Kuvend po afron.
Debatet nisën pasi anëtarët e opozitës kërkuan që në proces të përfshihet edhe Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Europës në Strasburg.
Gjatë diskutimeve, deputetja e PD-së Ina Zhupa preku edhe çështjen e protestës, çka solli reagimin e kryebashkiakut të Gramshit, Besion Ajazi, i ftuar në dëgjesë. Ai kërkoi që diskutimi të fokusohej te tema për të cilën ishte thirrur komisioni.
“Të nderuar kolegë, nuk kam ndërmend as t’ju kërkoj çfarë do flas, as t’ju pëlqej për atë që po flas. Ju mund të prisni. Mungesa e durimit reflektohet në atë sheshin të mbushur me qytetarë. Keni një pushtet vendor që sot nuk ka zë. Vetë po t’i pyesësh, ata të thonë që nuk e kanë idenë se çfarë planesh kanë mbi bashkinë e tyre. Po ti do vendosësh se ca është procedura… rri aty, mbaj vendin si i ftuar”, u shpreh Zhupa.
Pas kësaj deklarate reagoi bashkëkryetari socialist i komisionit, Arbjan Mazniku.
“Mos i thuaj asnjë të zgjedhuri nga qytetarët ‘rri e mbaj vendin’. Ai atje ka marrë më shumë vota sa ty”, tha Mazniku.
Në përfundim të mbledhjes, Mazniku këmbënguli që komisioni të respektojë afatin e përcaktuar dhe të paraqesë raportin në Kuvend deri më 15 korrik. Sipas tij, pas dorëzimit të raportit do të jetë Kuvendi ai që do të vendosë për hapat e mëtejshëm lidhur me reformën administrativo-territoriale./ad
