Last Updated on 24/06/2026 by Anisa
Kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, ka komentuar protestat qytetare që sot hyjnë në ditën e 25-të, duke theksuar se ndryshimi politik duhet të vijë përmes votës dhe pjesëmarrjes qytetare, jo përmes dhunës.
I ftuar në emisionin “Puls” në A2 CNN, Shehi u shpreh se shembulli i vendeve europiane tregon se regjimet mund të ndryshohen në mënyrë demokratike, pa nevojën e revolucioneve të dhunshme.
“Revolucion s’ka këtu as me bajonetë, as sfurk, me votë do bëhet revolucioni, siç u bë në Hungari që hoqën një autokrat që kishte 16 vjet. Populli e hoqi me votë. S’pati nevojë atje për revolucione. Ky është revolucioni për mua dhe duhet ta bëjmë këtë punë”, u shpreh Shehi.
Ai gjithashtu u bëri thirrje qytetarëve të Tiranës që të mbyllin për një orë bizneset e tyre dhe të marrin pjesë në mënyrë simbolike në protestë, duke theksuar se kjo nuk sjell dëm ekonomik dhe është një formë paqësore reagimi.
“Do t’i ftoja qytetarët e Tiranës, mbylleni një orë dyqanin se s’u bë qameti, se s’qenkan shitur 5 birra dhe dy këpucë, keni zgjedhur një rrugë që të bëjmë një gjë të madhe, të ndryshojmë vërtetë diçka, mos zvarritemi 30 e ca vjet. Nuk i prish asnjë punë. Nuk kanë pse tremben më. S’ka nevojë as të rrijnë te uji, as te molotovi, mjafton merr gruan për krahu dhe dil atje poshtë shtëpisë. Kaq është. Për të treguar që ne s’jemi më me ju. Ata s’po na qeverisin, po na sundojnë”, deklaroi kreu i LZHK-së./ad
