Last Updated on 13/03/2026 by Anisa
Kryeministri Edi Rama iu përgjigj kritikave se vendimi për ish-zv.kryeministren Belinda Balluku po pengon Shqipërinë në rrugën drejt Bashkimit Europian.
Në një konferencë për shtyp, Rama tha se reagimet e djeshme ishin të deformuara dhe të shëmtuara. Ai tha se nuk përmbusheshin asnjë prej kushteve minimale për të marrë në konsideratë kërkesën e SPAK.
“Do ta nis nga vendimi i djeshëm i Parlamentit për jehonën tërësisht të deformuar që iu dha atij vendimi. Ju me siguri e keni ndjekur të gjithë rrjedhën e ditës, keni ndjekur edhe prononcimin tim, që dua ta përsëris që lidhet me të vërtetën e madhe që kërkesa e Prokurorisë nuk i përmbushte as kushtet minimale për tu marrë në konsideratë. Përpjekja për ta lidhur refuzimin me ndonjë arsye tjetër apo për t’i dhënë refuzimit përmasën e një fakti që do të bllokojë rrugën e Shqipërisë në BE apo do të pengojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi, apo do pengojë drejtësinë, është përpjekje e shëmtuar, madje në dëshpërimin e vet ka të gjithë ingredientët që ka në të përditshmen tonë përpjekja për të bërë çmos që Shqipëria të pengohet” – u shpreh Rama.
Sa i përket polemikave me ndërkombëtarët, Rama tha se nuk ka asnjë frenim në rrugën drejt BE-së.
“Unë në këtë detyrë përfaqësoj Shqipërinë, interesin e saj dhe gjithë shqiptarët dhe një nga normat e padiskutueshme të këtij përfaqësimi është që t’i shikoj partnerët në sy, të më shikojnë në sy në të njëjtën lartësi. As unë s’më shkon mendja të shikoj njeri nga lart poshtë dhe as pranoj të më shohë njeri. Përtej mënyrës si janë pikturuar në karikaturat e pazarit mediatik dhe politik, diskutimet tona kanë qenë konstruktive. S’ka pasur asgjë të ngjashme sa i takon tensionit, presionit, kërcënimit. Këto janë gjëra që s’ndodhin në ato nivele ku bëhen ato diskutime. Edhe vetë deklaratat e bëra dje janë shumë të qarta, por varet sesi i lexon. Duke pasur parasysh edhe sipërfaqen ku janë shkruar dhe leximin prej saj, edhe thellësinë e marrëdhënieve dhe realitetin e përditshëm të komunikimit, ju them me plot gojën që leximi i bërë nga ata që kanë vënë kujën se u bllokua Shqipëria dhe mbaroi ëndrra europiane, është në rastin më të mirë, pervers, dhe në rastin më të keq, i qëllimshëm për të lënduar këdo që dëshiron suksesin në këtë rrugë. Kush merret me këto deformime dhe i bie kësaj daulleje, nuk e dëshiron suksesin e kësaj rruge sepse e lidh me qeverinë, me mua, me ne”, tha Rama.
Dalja publike e kreut të qeverisë vjen një ditë pas seancës plenare ku u rrëzua kërkesa e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për marrjen e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
