Last Updated on 19/03/2026 by Anisa
Pas mbledhjes së Qeverisë këtë të enjte, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, në një komunikim me mediat tha se Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem për furnizimin e grupeve shqiptare me naftë, pasi mbi 90% e furnizimit vjen nga rrugë të tjera detare.
Karakaçi tha se rritja e çmimit të naftës në vend është një mekanizëm që mund të rritet në çdo moment dhe se po mbikqyret, por aktualisht siç e theksoi dhe ai, nuk është marrë një vendim për ngritjen e Bordit të Transparencës.
“Ka dy elemente që vlerësohen në periudha krize: e para është mungesa e produktit në treg. Siç e kemi komunikuar edhe më parë, Ngushtica e Hormuzit nuk përbën problem furnizimi për grupet shqiptare, pasi pjesa më e madhe, mbi 90%, e furnizimit me lëndë nafte vjen nga rrugë të tjera detare.
Sa i përket rritjes së çmimit, mekanizmi ekziston dhe mund të aktivizohet menjëherë. Me një vendim të Këshillit të Ministrave kemi vlerësuar që, përmes komunikimeve me grupet e interesit dhe shoqatat e hidrokarbureve, ato do të kuptojnë rëndësinë e situatës, në mënyrë që të mos jetë e nevojshme ngritja e menjëhershme e Bordit të Transparencës.
Bordi është një instrument që mund të aktivizohet shumë shpejt, por deri tani nuk është marrë një vendim i tillë”, tha Karakaçi.
I pyetur nga gazetarët se cili është qëndrimi i qeverisë lidhur me projektligjet e PD, ministri tha se çdo vend i BE e ka taksën e qarkullimit, ndërsa Shqipëria e ka te nafta dhe jo te automjetet.
“Taksa e qarkullimit për t’u ulur 45 lekë, nënkupton që të jetë 45 lekë. Nuk është aq lekë. Ne kemi ndjekur model tjetër. Taksa e qarkullimit është në BE, disa e segmentojnë te karburanti, disa te mjetet.
Ne e kemi gjykuar te karburanti, sepse paguan më shumë taksë ai që përdor më shumë automjetin. Ne jemi duke ndjekur me të gjitha grupet e interesit tregun e karburanteve, ka modele të ndryshme.
Ne kemi ndjekur modelin e vendosjes së një çmimi tavan, nuk kemi akoma vendimmarrje për Bordin e Transparencës. Siç u njoftua edhe dje, ky bord mund të krijohet me një vendim të Këshillit të Ministrave”-u shpreh ministri.
