Në 20 prill 1980, kubanët fillojnë të mbërrijnë në SHBA nga bregu Mariel i Kubës – ky eksod refugjtësh zgjati deri më 31 tetor.
Nga Leonard Veizi
Era që rrihte brigjet e Marielit në pranverën e vitit 1980 nuk mbartte vetëm kripën e detit; ajo kishte shijen e thartë të dëshpërimit dhe ankthin e një kombi që po lëngonte… që sillte edhe një pëshpërimë shprese, të brishtë, por të pamposhtur, që i shtynte njerëzit drejt horizontit të panjohur…
…Kuba, e mbërthyer nga një krizë ekonomike asfiktuese, po frymonte me vështirësi nën peshën e tensioneve sociale që kishin arritur pikën e vlimit. Kur rreth dhjetë mijë kubanë u dyndën drejt Ambasadës së Perusë në Havana, muret diplomatike nuk mjaftuan më për të fshehur çarjen e madhe të regjimit. Përballë këtij eksodi të pashmangshëm, Fidel Kastro luajti kartën e fundit: hapi portat e skëterrës dhe të shpresës njëkohësisht. Kushdo që donte të largohej, mund ta bënte.
Eksodi i pafund
Ajo që pasoi mori emrin historik “Mariel Boatlift”. Për muaj me radhë, deti u shndërrua në një rrugë të improvizuar ku çdo mjet që mund të pluskonte — nga anijet e peshkimit te barkëzat e vjetra — u nis drejt veriut. Mbi 125,000 shpirtra sfiduan dallgët, duke lënë pas gjithçka për një horizont të panjohur të quajtur Florida. Ishte një migrim masiv që nuk ndryshoi vetëm hartën demografike të Majamit, por edhe ADN-në kulturore të qytetit.
Kurthi i Kastros
Por ky eksod nuk ishte një histori e pastër lirie. Me një lëvizje cinike, regjimi i Kastros i përzjeu radhët e emigrantëve me të dënuar nga burgjet dhe pacientë nga spitalet psikiatrike, duke eksportuar qëllimisht “problemet” e veta drejt SHBA-së.
Kjo manovër politike hodhi një hije dyshimi mbi të gjithë komunitetin. Edhe pse vetëm 2% e tyre rezultuan të ishin kriminelë të dhunshëm, stigma u ngjit pas tyre si katrani.
Mitizimi i Toni Montanës
Kjo dramë njerëzore nuk u mbyll në arkivat e historisë, por u ngjiz në mitologjinë e kinemasë. Në vitin 1983, përmes kryeveprës “Scarface” apo siç njihet nga trasmetimi në shqip “Njeriu me shenjë”, bota njohu Toni Montanën. I interpretuar me një egërsi brilante nga Al Paçino, Montana u bë simboli i errët i këtij eksodi. Ai nuk përfaqësonte punëtorin e ndershëm kuban që kërkonte një jetë më të mirë, por mishëronte versionin e shtrembëruar të “Ëndrrës Amerikane”: ambicien e pakufishme që ushqehet nga dhuna. Toni Montana lindi nga dallgët e Marielit si një hije që vazhdon të ndjekë këtë histori, duke e kthyer një tragjedi njerëzore në një ikonë pop-kulture që refuzon të zbehet.
Shënimi i fundit
Eksodi i Marielit mbetet një dëshmi e gjallë se liria ka një kosto të lartë dhe se rruga drejt saj, shpesh kalon përmes një deti ku realiteti dhe miti përplasen pa mëshirë.
