Last Updated on 09/06/2026 by Kesjana
Kur sulmet sipërfaqësore të rrjeteve sociale guxojnë të vënë në dyshim integritetin e njerëzve që janë ngritur në jetë me punë dhe sakrifica, përgjigja më e mirë vjen përmes fakteve.
Këtë ka bërë deputetja socialiste Zegjine Çaushi, e cila ka vendosur t’u nxjerrë “mungesën e dritës” influencuesve që guxojnë të hedhin baltë mbi Parlamentin, duke u bërë zëri i të gjithë atyre që dinë çfarë është sakrifica e vërtetë.
Pas ironisë së kryeministrit Rama me botën e “infuencuesve” të Instagramit, reagimi i egërsuar u drejtua drejt deputetëve. Por, ndryshe nga ata që fshihen pas filtrave, deputetja Çaushi ka dalë me emër, mbiemër dhe me kartat në tavolinë, duke i dhënë një leksion të merituar influencueses Dea Mishel.
Triumfi i notës 10 mbi jetën me filtra: “Kam shkuar në shkollë pa ngrënë”
Aty ku influencuesit shohin vetëm luks dhe sulme boshe, deputetja Çaushi ka treguar se pas postit të saj fshihet një histori suksesi e ndërtuar me thonj. Përmes publikimit të diplomave dhe listës së notave me dhjeta absolute, ajo ka dëshmuar se nuk është produkt i fatit apo i favoreve, por i një lufte të vështirë me jetën.
Mesazhi i saj ishte një goditje direkte ndaj asaj që ajo e quan “bota fallco”:
“Kam luftuar për këtë diplomë dhe madje që të dilja me 10, për t’ia mbyllur gojën ca qenieve si ty, ca qenieve që turpërojnë femrat, ca mishrave në shitje me flokë, dhëmbë e gjithçka fallco.”
Në një postim pasues, deputetja ka shkruajtur shkurtimisht vetëm një fjalë: “NEVERI”, duke rikonfirmuar qëndrimin e saj ndaj atyre që tallin jetimët.
Ky reagim pa doreza ka sjellë një valë të madhe reagimesh në radhët e ndjekësve. Pjesa më e madhe e komentuesve janë rreshtuar hapur në mbështetje të deputetes Çaushi, duke vlerësuar faktin që ajo zgjodhi të mbrojë dinjitetin e saj përmes meritokracisë dhe fakteve (diplomave), përballë asaj që konsiderohet si “bota sipërfaqësore” e rrjeteve sociale.
a.d



