Nga Mentor Kikia
Parlamenti Europian miratoi raportin për Shqipërinë, në kuadër të negociatave me BE-në.
Lajmi i parë i mirë: BE vazhdon mbeshtetjen për Shqipërinë.
Lajmi i dytë i mirë: “Procesi i zgjerimit varet nga kushtëzimi i rreptë, progresi i bazuar në meritë dhe zbatimi efektiv i reformave, jo vetëm nga miratimi formal i legjislacionit” – Pra nuk ka integrim sa për të thënë, apo anëtarësim pa qenë anëtar.
Ne duhet të shtrojmë kurrizin, të përmirësojmë standardet.
Realiteti, çfarë vëren raporti:
-Korrupsioni mbetet shqetësim serioz dhe kërkon forcim të hetimeve dhe dënimeve, sidomos në nivele të larta;
-Kuadri zgjedhor konsiderohet përgjithësisht i përshtatshëm, por shpreh shqetësime për barazinë e kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, akuzat për blerje votash dhe presion mbi votuesit.
-Bën thirrje për reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe zbatim të rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias;
-Shpreh shqetësim për polarizimin politik dhe diskursin përplasës që dëmton funksionimin e institucioneve demokratike;
-Mbrojtje më të fortë të lirisë së shprehjes dhe pluralizmit mediatik;
-Kërkon depolitizimin e administratës publike dhe rekrutime mbi bazë merite;
-Shpreh shqetësim për mungesën e progresit në mjedis dhe klimë;
Pra, kemi një det të tërë përpara.
Shumica prej këtyre problemeve nuk kërkojnë para të zgjidhen.
Kërkojnë VULLNET POLITIK dhe përgjegjshmëri nga ata që kanë pushtetin!
Hapi i parë është ta pranojmë realitetin, jo ta fshehim nën petkun e manipulimit të publikut se “po ecim me ritme të shpejta”.
Hapi i dytë është ta marrim seriozisht dhe të përmirësojmë standardet. Të heqim edhe zyrtarisht dorë nga lloqet se do na pranojnë për gjeo-politikë, gjeo-strategji, për shkak të Kinës e për shkak të Rusisë./mxh
