Last Updated on 08/04/2026 by EL
Deputetja e Shkodrës, Marjana Koçeku, shprehet e bindur se rijetëzimi i kullave të veriut nëpërmjet projekteve serioze dhe të detajuara të mbështetura nga shteti, turizmi në Shqipëri do të rritet në një nivel tjetër.
“Kullat malsore kanë përkund djepin, kanë njomë udhëtarin e kanë shpëtue dorasin. Janë emblemë e historisë tonë dhe njashtu duhen trajtue ligjërisht e politikisht. Dora që hap kullën asht jo ma pak e shenjtë se ajo që mjekon plagën. Nëse rijetëzohen kullat e veriut nëpërmjet nji projekti të mirëmenduem, atëherë e them pa hezitim se nji kapitull i ri i turizmit të vërtetë hapet për krejt Shqipninë”,- shkruan Koçeku.
Misionin e saj për mbrojtjen dhe veshjen ligjore të kullave me një status të veçantë, deputetja e shpalli që në mbledhjen e zgjeruar të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste dhe Qeverisë që u zhvillua me dyer të mbyllura më 28 mars. ‘Neomalësorja’ i kërkoi Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK), krijimin e një harte prioritare për certifikimin e kullave të vjetra në zonën e Mbishkodrës dhe të ndërtesave tradicionale në qytet./e
