Last Updated on 27/10/2026 by Anisa
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se mijëra shqiptarë nga diaspora pritet t’i bashkohen protestës në Tiranë.
Berisha e cilësoi revoltën e të rinjve si një lëvizje me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit, duke vlerësuar guximin e atyre që po protestojnë.
“Sot nga mbarë Evropa, mijëra dhe mijëra shqiptarë nga diaspora pritet t’i bashkohen protestës, revoltës së gjimnazistëve dhe studentëve të Tiranës”, deklaroi Berisha.
Ai përgëzoi protestuesit për qëndrimin e tyre përballë forcave të policisë, ndërsa përdori gjuhë të ashpër ndaj efektivëve, të cilët i akuzoi për dhunë ndaj protestuesve.
“Gjimnazistët dhe studentët po protestojnë në një revoltë të paparë, me një trimëri të jashtëzakonshme”, u shpreh Berisha.
Berisha pretendoi se në komisariate po ushtrohet presion ndaj protestuesve dhe se, sipas tij, po shkelen ligjet dhe Kushtetuta. Ai akuzoi autoritetet se po përdorin frikën për të dekurajuar pjesëmarrjen në tubime.
Kreu i PD përdori gjuhë të ashpër ndaj kreut të qeverisë Edi Rama dhe e krahasoi atë me presidentin serb Aleksandër Vuçiç, ndërsa paralajmëroi se presioni ndaj protestuesve nuk do ta ndalë lëvizjen.
“Së fundi, dënoj me forcën më të madhe terrorin, dhunën antikushtetuese që komisariatet në shkelje të gjitha ligjeve po ushtrojnë ndaj qytetarëve në qytete dhe kudo për pjesëmarrjen e tyre në protesta paqësore.
Pa asnjë shkak, pa asnjë motiv, duke shkelur kode dhe Kushtetutë, marrin deklarata dhe besojnë si të verbër se me instrumentet e frikës do mund të shpëtojnë Vuçiçin shqiptar.
Edi Rama, argati i Vuçiçit, apo siç e kanë quajtur, Pashiqi shqipfolës, do të ketë fatin e tij ose të Çausheskut. Duhet të zgjedhë vetë. Protestat nuk ndalen”, tha Berisha./ad
