Last Updated on 19/05/2025 by adminfjala
Gjykata e Posaçme ka kaluar për gjykim dosjen “Partizani” në ngarkim të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhëndrit të tij, Jamabër Malltezi dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë proces.
Ndërkohë, gazetarja Klodiana Lala duke folur për Neës24, tha se procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit Berisha në GJKKO do të jetë një maratonë që mund të zgjasë deri në 2 vite.
Siç bën me dije gazetarje, procesi mund të zgjasë pasi të gjithë personat e pyetur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarëve apo të pandehurve do të pyeten në seancat gjyqësore. Procesi do kërkojë kohë dhe shqyrtim gjyqësor për secilën provë që ndodhet në dosjen gjyësore.
Gazetarja zbuloi se seanca e parë do të zhvillohet me prezencën e mediave, ndërsa sa i përket ish-kryeministrit tha se, Berisha mund të jetë i pranishëm bashkë me të pandehurit e tjerë.
“Seanca paraprake është zvarritur prej 7 muajsh. Zoti Berisha do të përballet tanimë me drejtësinë në një proces të zakonshëm, pasi nuk kanë paraqitur kërkesë për gjykim të shkurtuar. Dosja do të kalojë në themel, do të hidhet shorti sipas ligjit tek një tjetër gjyqtar dhe do të fillojë gjykimi nga e para. Kjo do të thotë se çdo person i pyetur nga SPAK në cilësinë e dëshmitarit apo personit që ka dijeni apo të pandehurit, do të japë shpjegime para drejtësisë. E po ashtu, çdo akt ekspertimi kontabël apo financiar që ka të bëjë me procedurat e privatizimit të “Partizanit” duhet po ashtu t’i nënshtrohet shqyrtimit gjyqësor. Ç’ka do të thotë se do të duhet një kohë mjaft e gjatë 1 apo 2 vite që procesi gjyqësor ndaj ish-kryeministrit dhe të pandehurve të tjerë të përfundojë në shkallën e parë. Do të jetë një proces maratonë që do të kërkojë kohë dhe shqyrtim gjyqësor për secilën provë që ndodhet në dosjen gjyqësore. Seanca e parë do të jetë një seancë ku të gjitha mediat do të jenë të pranishme. Z.Berisha mund të jetë i pranishëm në seancë, për t’u përballur me drejtësinë, bashkë me të pandehurit e tjerë.”, tha gazetarja.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin, dhëndrin e tij dhe ndërtuesin Fatmir Bektashi, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportësh Partizani”. Në këtë territor, janë ngritur 18 kulla banimi dhe shërbimesh.
Vendimi i sotëm i gjyqtares Flojera Davidhi do të thotë se për të gjithë personat e akuzuar për dosjen “Partizani”, do të nisë gjykimi i zakonshëm, që në seancën e radhës. Ata do të marrin pjesë në procesin gjyqësor si të gjithë personat e tjerë nën akuzë apo të pandehur. m.p.