Last Updated on 20/07/2026 by Anisa
Fitorja e Spanjës në finalen e Kupës së Botës ka marrë jehonë të gjerë në mediat sportive ndërkombëtare, të cilat në pjesën më të madhe bien dakord se titulli përfundoi në duart e skuadrës që e meritoi.
Gjashtëmbëdhjetë vjet pas triumfit të parë në Johanesburg, Spanja fitoi yllin e saj të dytë botëror, pasi mposhti Argjentinën në një finale të luftuar dhe të debatueshme. Ndeshja u vendos nga goli i Ferran Torres, i cili i bashkohet Andrés Iniestës si futbollisti i vetëm spanjoll që ka shënuar golin vendimtar në një finale të Kupës së Botës për Spanjën.
Shtypi ndërkombëtar e ka cilësuar suksesin e “La Roja”-s si një triumf të futbollit, ndërsa disa media kanë qenë veçanërisht kritike ndaj paraqitjes së Argjentinës.
Ndër komentet më të forta ishte ai i gazetës britanike The Telegraph, e cila shkroi:
“Futbolli 1 – Delikuenca 0. U desh koha shtesë për të arritur deri këtu, por fatmirësisht fitoi sporti. Spanja fitoi Kupën e Botës dhe të gjithë dolëm fitues. Futbolli është më i mirë falë këtij rezultati. Kishte nevojë që Spanja ta fitonte këtë finale.”
Në analizën e saj, gazeta kritikon ashpër paraqitjen e Argjentinës, duke theksuar se skuadra nuk arriti të regjistronte asnjë goditje gjatë kohës së rregullt të ndeshjes.
“Messi dhe Argjentina nuk meritonin asgjë, sepse nuk bënë asgjë. Ata u bënë finalistët e parë në historinë e Kupës së Botës që nuk realizuan asnjë goditje në kohën e rregullt. Gjithçka që bënë ishin faulle, faulle dhe sërish faulle. Vetëm në pjesën e parë kryen nëntë faulle, ndërsa realizuan vetëm tetë pasime në të tretën sulmuese të fushës. Ishte një futboll i dobët dhe zhgënjyes, ndaj morën atë që meritonin”, shkruan The Telegraph/ad
