Në fundmarsin e vitit 1975, Shtetet e Bashkuara tërhiqen nga Vietnami
Nga Leonard Veizi
Filmi “Good Morning Vietnam”, me gjallërinë tragjikomike të aktorit Robin Uilliams, nuk është thjesht kronika e një folsi radioje në ethet e luftës. Ai është radiografia e një skizofrenie kombëtare: nga njëra anë, makineria e propagandës që prodhonte entuziazëm artificial për të mbajtur në këmbë moralin e trupave, dhe nga ana tjetër, një baltovinë strategjike që po gëlltiste dita-ditës prestigjin e një superfuqie…
…Hollivudi është rikthyer shpesh në xhunglat e Vietnamit – herë me muskujt e fryrë dhe heroizmat e ekzagjeruara të Silvester Stalone dhe Çak Norris, që tentonin të fitonin në ekran atë që u humb në terren, e herë me pendesën e dhimbshme në kryevepra si “Born on the Fourth of July” me Tom Kruis apo filtrin naiv të “Forrest Gump” me Tom Henks.
Por, përtej shkëlqimit të celuloidit, Lufta e Vietnamit mbetet dëshmia e thyerjes së madhe, një plagë e hapur në ndërgjegjen amerikane që ende lëngon nën peshën e debateve historike.
Fillimi
Rrënjët e këtij konflikti nuk mbinë rastësisht; ato u ushqyen nga dekada të tëra rezistence kundër zgjedhës franceze. Pas kapitullimit të Francës në vitin 1954 dhe “shirave” diplomatikë të Gjenevës, Vietnami u gjymtua dysh: Veriu komunist nën hijen e Ho Shi Min dhe Jugu i rreshtuar pas Perëndimit.
Premtimi për zgjedhje të lira që do të bashkonin vendin mbeti një iluzion i vdekur që në lindje. Uashingtoni, i tmerruar nga “teoria e dominosë” dhe përhapja e komunizmit, hodhi bastin e tij mbi Negu Din Dim. Por regjimi i tij doli të ishte një kështjellë rëre – e korruptuar dhe e paqëndrueshme. Vrasja e tij në vitin 1963 nuk solli rendin, por hapi portat e kaosit, duke i lënë rrugë të lirë infiltrimit komunist në çdo qelizë të Jugut.
Përshkallëzimi
Ajo që nisi si një asistencë modeste me “këshilltarë ushtarakë”, u shndërrua në një makth global pas vitit 1964. Incidenti në Gjirin e Tonkinit – një ngjarje e mbështjellë me mjegullën e dyshimit – shërbeu si shkëndija e duhur.
Më 7 gusht 1964, Kongresi i dorëzoi presidentit Lindon Xhonson një “çek të bardhë” për përdorimin e forcës. Ky ishte çasti kur diplomacia heshti dhe armët morën fjalën. Nga viti 1965, qiejt e Vietnamit u nxinë nga bombardimet masive, ndërsa çizmet e mbi 500 mijë ushtarëve amerikanë shkelën në një terren që nuk e njihnin dhe që nuk do t’i mirëpriste kurrë.
Lufta
Pavarësisht epërsisë dërrmuese teknologjike, ushtria më e fuqishme e botës u gjend e pafuqishme përballë “fantazmave”. Vietkongët nuk luftonin sipas manualeve të Pentagonit; ata përdornin xhunglën si mburojë dhe taktikat guerile si thikë pas shpine.
Ashtu siç sugjeron edhe filmi “Good Morning Vietnam”, realiteti i terrenit ishte krejt ndryshe nga raportet rozë që lexoheshin në studio. Bombat nuk mundën të thyenin vullnetin e një popullsie që luftën e shihte si mbijetesë, jo si ideologji. Rezultati? Një luftë rraskapitëse ku fitoret në beteja nuk u shndërruan kurrë në triumf politik.
Bilanci
Kostoja ishte apokaliptike. Mbi 58 mijë amerikanë u kthyen në shtëpi në arkivole të mbuluar me flamur, ndërsa miliona vietnamezë humbën jetën në një konflikt që nuk kursente askënd.
Përveç gjakut, lufta thithi miliarda dollarë, duke tronditur themelet e ekonomisë amerikane. Por goditja më e rëndë erdhi nga brenda: rrugët e SHBA-së u mbushën me protesta, duke krijuar një hendek të pariparueshëm midis qeverisë dhe popullit. Lufta e Vietnamit ishte thyerja e parë e madhe e besimit amerikan te “pagabueshmëria” e shtetit të tyre.
Fundi
Me ardhjen e Riçard Nikson, nisi ajo që u quajt “vietnamizimi” i luftës – një tërheqje e dhimbshme e maskuar si sukses. Në vitin 1973, Marrëveshja e Parisit thjesht vulosi fundin e angazhimit ushtarak.
Epilogu u shkrua më 30 prill 1975. Rënia e Saigonit dhe imazhi poshtërues i helikopterit të fundit që nisej nga tarraca e ambasadës, mbeti simboli universal i një disfate që askush nuk guxonte ta quante me emër. Në vitin 1976, Vietnami u bashkua, por jo sipas planit të Uashingtonit.
Thirrja
Vietnami nuk ishte thjesht një dështim ushtarak; ishte fundi i pafajësisë amerikane. Ishte çasti kur një superfuqi u përplas me kufijtë e forcës së saj dhe me arrogancën e vetëbesimit të tepruar.
Prandaj, sa herë dëgjojmë atë thirrje ikonike “Good Morning Vietnam”, nuk dëgjojmë thjesht një përshëndetje mëngjesi, por kujtesën e një iluzioni që u thërrmua përballë realitetit të egër të xhunglës dhe historisë.
