Last Updated on 01/07/2025 by adminfjala
1 Korrik 1997
Fundi i një epoke: Hong Kongu i dorëzohet Kinës pas 156 vitesh si koloni britanike
Nga Leonard Veizi
Në atë mesnatë të nxehtë dhe të rëndë korriku, kur era e lagësht e oqeanit ledhatonte portin e Viktorias dhe dritat shumëngjyrëshe dridheshin mbi ujërat si pasqyrime të turbullta kujtimesh, Hong Kongu ndodhej në skajin më të ndjeshëm të historisë së tij. Dritaret e larta të kullave ndriçonin ende me hijeshi perëndimore, nën dritën e neonëve dhe nën hijen e një rendi që po fikte frymën, ndërsa qyteti, që për më shumë se një shekull kishte qenë një perlë perëndimore e mbjellë në gjirin e Lindjes, ndiente se po i ndërrohej jo vetëm flamuri, por edhe fati. Ai kishte frymuar me ritmin e tregtisë së lirë, me aromën e kontratave, të gjykatave britanike dhe të kafeve të mëngjesit që flisnin anglisht, mbajtur për dekada të tëra iluzionin se mund të ishte një botë më vete — e hapur, e sigurt, e mbrojtur nga realiteti përreth…
…Në orën 00:00 të datës 1 korrik 1997, qielli mbi portin e Viktorias u përflak nga fishekzjarrët. Disa panë festë, një rikthim të lavdishëm të tokës mëmë. Por shumë të tjerë panë fundin e një epoke, shuarjen e një ëndrre të ndërtuar me mure xhami dhe ligje angleze. Ndërsa flamuri i Union Jack zbriste ngadalë, i shoqëruar nga notat e zbehta të himnit britanik, dhe ai me yje të artë të Kinës ngrihej me solemnitet të akullt mbi qytet, Hong Kongu ndjeu peshën e historisë të ulej mbi shpatullat e tij të përvuajtura e krenare njëherazi. Ishte një natë ku ora nuk shënoi thjesht kalimin e një dite, por rrokullisjen e një qytetërimi të tërë. Ajo që për shumëkënd kishte qenë një dritare e Perëndimit në Lindje, kthehej, zyrtarisht, nën sovranitetin e Pekinit. Por pyetja që mbeti pezull, e pashprehur dhe e rëndë si ajri i lagësht i natës, ishte kjo: a do të ishte më Hong Kongu i djeshëm nesër?
Nga traktati te tregtia globale
Hong Kongu ra në duart e Britanisë së Madhe pas Luftës së Parë të Opiumit, me Traktatin e Nankingut (1842). Ishte një nga rastet më flagrante të imperializmit: Perandoria Britanike siguroi këtë gadishull si port strategjik në brigjet kineze, fillimisht për interesa tregtarë, por më pas u kthye në një qendër të fuqishme të kapitalizmit global, me një sistem juridik perëndimor, liri tregtare dhe liri politike që kontrastonin me pjesën tjetër të Kinës.
Në vijim, territore të tjera iu shtuan përmes traktateve të mëvonshme, përfshirë “New Territories” të dhëna me qira për 99 vjet në vitin 1898. Afati i kësaj marrëveshjeje ishte qershori i vitit 1997, dhe kështu nisi numërimi mbrapsht për një ndryshim të madh.
Marrëveshja e dorëzimit
Në vitin 1984, Britania dhe Kina nënshkruan Deklaratën e Përbashkët Sino-Britanike, ku ranë dakord që Hong Kongu do t’i dorëzohej Kinës më 1 korrik 1997. Por me një kusht themelor: për 50 vite të tjera, qyteti do të ruante sistemin e tij kapitalist, liritë civile dhe autonominë nga sistemi socialist i Kinës. Kjo politikë u quajt “Një vend, dy sisteme”.
Më 30 qershor 1997, Princi Charles përfaqësoi Britaninë në ceremoninë zyrtare të dorëzimit, përkrah Presidentit Jiang Zemin të Kinës dhe Guvernatorit të fundit britanik, Chris Patten. Në orën 00:00 të datës 1 korrik, sovraniteti u transferua zyrtarisht.
Emocione të përziera
Atmosfera në qytet ishte e ndarë. Për disa, ishte një moment krenarie kombëtare – rikthimi i një territori të humbur, pa luftë, me dinjitet diplomatik. Për të tjerët, ishte një natë e errët: një ankth i heshtur për lirinë, për fjalën e lirë, për pavarësinë që kishin ndier nën sundimin britanik, pavarësisht kolonializmit.
Sfidat pas 1997
Në vitet pas dorëzimit, Hong Kongu mbeti një qendër financiare globale, me institucione të forta, shtyp të lirë dhe një identitet të veçantë. Por ndërhyrjet e Kinës janë rritur ndjeshëm, veçanërisht pas vitit 2014 me Lëvizjen e Çadrave, dhe kulmuan në protestat masive të vitit 2019, të ndjekura nga ligji i ri i sigurisë kombëtare në 2020 që kufizoi ndjeshëm autonominë.
Trashëgimia historike
1 Korriku 1997 nuk ishte vetëm një akt diplomatik, por një dritare drejt së ardhmes – ku një qytet u kthye në trungun e vet kombëtar, por jo domosdoshmërisht në frymën që e kishte karakterizuar. Ai mbetet një nga shembujt më të thellë të ndërlikimit të sovranitetit, lirisë dhe identitetit, në një botë ku historia koloniale takon aspiratat moderne.