Nga Artan Fuga
Mbasi dikush la të kuptohet se është shoqëria e korruptuar, jo thjesht zyrtarë në institucione të ndryshme të rëndësishme, “u bë deti kos!”
Kaq mjaftoi që mbrojtës të korrupsionit të thonë se është kultura e korrupsionit dhe e bakshishit e shoqërisë shqiptare që ka prishur nëpunës të ndryshëm.
Me një fjalë korrupsionin ne e paskemi në gen, në traditë, është pjesë e identitetit tonë kombëtar, kurse në Perëndim jetojnë kombe të kulturuara që korrupsionin nuk e honepsin. Fajin për bakshishet që paguajmë dhe korrupsionin që mbajmë mbi supe e paskemi vetë ne që vuajmë prej tyre!!!
I bie kokës me dorë, pulit qepallat se mos je në ëndërr. Beteja del se po bëhet kundër popullit sepse nga populli i prapambetur vijnë valë korruptive dhe bakshishi.
Cfarë tradite se! Bujku shqiptar që në histori ka prodhuar për vete bënte korrupsion me veten e tij se me cilin tjetër do të bënte. Jetonte në ekonomi të mbyllur. E dhe artizani shqiptar tradicionalisht nuk kishte se me cilin bënte korrupsion sepse prodhonte në mallin e tij, me veglat e tij, për treg. I vinte çmimin mallit dhe paguhej. Kaq.
Ku është tradita e korrupsionit këtu në mënyrat e prodhimit tradicional që ndokush të thotë se kultura jonë qenka geni i korrupsionit.
Po të ishte kështu ata qindra mijë emigrantë shqiptarë si ka mundësi që në pjesën dërmuese të tyre janë integruar në shoqëri ku korrupsioni nuk i ha nga brenda nëpunës të ndryshëm si te ne? Përkundrazi janë mësuar të jetojnë me punë të ndershme dhe në çfarë kushtesh seeeeee…
Ne kultura e bakshishit? E kemi në gen apo na e kërkojnë njerëz që s’ta japin shërbimin po qe se nuk i dorovit nëndorë, mbidorë, pasdore a paradore!
Po pse nuk ka vende perëndimore, edhe në Amerikën e Veriut ku duhet t’i japësh me detyrim bakshish kamarierit, hotelxhiut, taksistit, berberit, e shumë e shumë profesioneve të tjera se përndryshe ha dynjanë? Ku është kultura jonë e bakshishit dhe korruptive që na karakterizoka si komb e si popull, dhe të tjerët nuk e njohin këtë kulturë?
A mos duan të thonë se ka pasur shqiptarë që kanë ndërtuar në emigrim rrjete droge dhe paraje ilegale? Po ja, nëse është kështu dhe çfarë del që këtej? Me cilët bashkëpunojnë ata, kujt ja shesin, cilët kanë partnerë? Të huaj apo shqiptarë? Pse drogën, prostitucionin, mafian anëembanë, bandat, kur u krijuan një Perëndim? Kur vajtën shqiptarët, apo i gjetën atje këto rrjete?
Po brenda vendit, kush jep tendera me bakshishe dhe përfitime ilegale? Cfarë thotë drejtësia? I jep popull që është me duar në xhepa apo janë nëpunësit, jo rrallë të lartë, që e kanë bërë? Ku është populli këtu?
Ku është në kulturën tradicionale shqiptare kulti i bakshshit, i korrupsionit, i vjedhjes së parave të tjetrit, i plackitjes? I ka kënduar asaj Naimi, Gjergj Fishta, Ndre Mejda, kush?
Ka përhapje bakshishi sot në popullsi? Po, ka, por vetëm injorantët në sociologjinë e kulturës nuk e dinë se është njeriu që bën pjesë në shtresat e gjera që imiton elitat burokratiko- politike dhe jo ai që ka status më të lartë të imitojë atë që ka status social më të ulët.
Shih rrushi rrushin dhe piqu! Cfarë do të mendojë qytetari?
Kur shoh se disa duhej të ishin shembull, por jetojnë përtej mundësive të tyre, pse unë do të respektoj një moral që qenka hipokrit?
Ja po e marrim që edhe ka njerëz që tentohen nga vjedhjet, korrupsioni, bakshishi, por pyetet : sistemi i qeverisjes a është i organizuar për t’i vënë fre? Apo për ta lënë të çfrenuar?
Ku është ndarja e pushteteve që ata të kontrollojnë njeri tjetrin?
Ku është statusi i nëpunësit publik që ai të mos jetë i mbrojtur ose keqpërdorur nga politika dhe shefat?
Ku është kontrolli administrativ që ka lënë shkelje ligjore të nxitura nga korrupsioni dhe që i kapin Kontrolli i Lartë i Shtetit, SPAK-u, etj?
Thotë bukur themeluesi i sociologjisë Durkheim: Sapo ndëshkimi për krimin dobësohet, aq më tepër kriminaliteti rritet. Dhe ai nuk e thoshte këtë për shqiptarët!
Cfarë është bakshishi që paguan populli te nëpunës ose te zyra shërbimesh të ndryshme? Një taksë e fshehur, një çmim i rritur artificialisht, një blerje me parà e një të drejte që ligji ta njeh, por Maliqi ta mohon! Ka ndonjë teori që të ketë pretenduar se ai që paguan këtë shtesë financiare, është ai që e nxit korrupsionin dhe bakshishin, dhe jo ai që e merr!
