Last Updated on 06/06/2025 by adminfjala
Përgatiti: Leonard Veizi
Ishte një mbrëmje e ngrohtë pranvere, kur ndodhi një ngjarje që do të ndryshonte mënyrën se si njerëzit përjetonin magjinë e filmit. Për herë të parë, publikut iu ofrua mundësia të shikonte një film nga komoditeti i makinës së tij, pa dalë fare jashtë…
…Ka net që nuk harrohen. Net që nuk maten me orë, por me ndjesinë që të fal një dritë që pulson në errësirë, një ekran i bardhë që ngrihet mes heshtjes dhe e mbush qiellin me zëra, me fytyra, me ëndrra. Një nga ato net nisi pikërisht më 6 qershor 1933, në një qytet të qetë të Nju Xhersit, ku për herë të parë, njerëzit nuk hynë në kinema — por kinemaja hyri në makinën e tyre.
Aty, në Kamden, lindi kinemaja e parë drive-in, një shpikje që më shumë se teknologji, ishte fantazi e kthyer realitet. Fusha e rrethuar me gardh nuk kishte radhë karrigesh apo kolltukësh me numra. Kishte thjesht vend për 500 makina, të parkuara përballë një ekrani gjigant, ku filmi projektohej nën qiell të hapur, e zëri vinte nga një altoparlant i vogël, i varur në një dritare pak të hapur. Shikuesit nuk kishin nevojë të vishnin rroba zyrtare, të qëndronin të drejtë, as të shuanin kollitjet — sepse kinemaja u përkiste atyre, në hapësirën e vet personale me rrota.
Ishte një akt intim: një çift që përqafohej në ulëset e përparme, një fëmijë që flinte në sediljen e pasme, ndërsa filmi vazhdonte, për t’u gdhendur në kujtesë si diçka që nuk përsëritet më. Ishte art që shfaqej pa filtër, pa tavan, pa mure, nën dritën e hënës dhe fishkëllimën e verës.
Në dekadat që pasuan, kjo formë unike e përjetimit të filmit u bë simbol i një epoke: e lirisë, e konsumit masiv, e dashurisë që kërkonte strehë larg syve të botës. Në vitet ’50, Amerika numëronte mbi 4 mijë drive-in cinema, dhe çdo ekran ishte një ftesë për të jetuar filmin si pjesë të jetës.
Por koha është e pamëshirshme me formatet që kërkojnë hapësirë dhe durim. Tokat u shtrenjtuan, ekranet u ndanë në shumë salla të vegjla, televizori, videokasetat, satelitët dhe më pas rrjetet digjitale, rrëmbyen vëmendjen tonë. Drive-in cinema mbeti një përrallë me motor ndalur, një kujtim me dritare të avulluara dhe zë që vinte nga një altoparlant që varej si vath nostalgjie.
Por jo gjithçka humbet. Ndonjëherë, kur bota e sotme na mbyt me shpejtësinë e saj, kur teknologjia na bën të vetmuar edhe në mes të audiencës, ndonjë ekran i bardhë hapet sërish në ndonjë periferi, në ndonjë mbrëmje vere, dhe njerëzit, të ulur në makinat e tyre, shikojnë një film — dhe ndoshta shikojnë edhe veten. Siç bënin dikur.
Sepse kultura nuk është vetëm çfarë shohim, por edhe si e shohim.