Last Updated on 04/08/2026 by EL
Romë, Itali, 4 Gusht 2026 – Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Shqipërisë, z. Ermal Nufi zhvilloi një takim me Ministrin e Mbrojtjes të Italisë, z. Guido Crosetto, ku në qendër të bashkëbisedimit ishte forcimi i bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.
Gjatë takimit, dy ministrat diskutuan mbi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me fokus në rritjen e ndërveprueshmërisë së Forcave të Armatosura, si edhe mbi mundësitë e reja për bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes.
Ministri Nufi vlerësoi Italinë si një partnere të rëndësishme strategjike të Shqipërisë dhe një aleate të çmuar në kuadër të NATO-s, duke nënvizuar rëndësinë e partneritetit të ngushtë mes dy vendeve në përballimin e sfidave të përbashkëta të sigurisë.

Gjatë bisedës, u rikonfirmua vizioni i përbashkët i Shqipërisë dhe Italisë për një rajon më të sigurt dhe një Evropë më të fortë. Në këtë kuadër, të dy ministrat riafirmuan angazhimin për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, mbështetjen e misioneve ndërkombëtare në shërbim të paqes dhe sigurisë, si edhe forcimin e rolit të NATO-s përballë sfidave të reja të sigurisë./ET
