Çmimet e naftës vijuan rënien për të katërtën ditë radhazi, ndërsa tregjet po vlerësojnë mundësinë e rritjes së flukseve të energjisë përmes Ngushticës së Hormuzit, në një kohë kur përshkallëzimi i luftës Rusi-Ukrainë po kërcënon prodhimin dhe eksportet ruse.
Nafta Brent ra me 0.46%, duke u tregtuar në rreth 87.46 dollarë për fuçi dhe duke regjistruar një humbje prej më shumë se 7% gjatë javës. Edhe nafta amerikane WTI ra me 0.46%, duke u tregtuar pranë 81.80 dollarëve për fuçi.
Çmimet u rritën fillimisht të mërkurën pas raportimeve se presidenti rus Vladimir Putin mund të përshkallëzojë luftën në Ukrainë. Megjithatë, fitimet u përmbysën pas njoftimit për një marrëveshje mes Iranit dhe Omanit lidhur me Ngushticën e Hormuzit, e cila përfshin edhe një marrëveshje për ndarjen e të ardhurave.
Tregu ka qenë nën presion gjatë gjithë javës, pasi janë shtuar pritshmëritë për një marrëveshje mes Iranit dhe Omanit. Ndërkohë, masat ekonomike të shpallura nga SHBA-ja ndaj Teheranit dhe partnerëve të tij tregtarë rezultuan më pak të ashpra nga sa kishte parashikuar tregu.
Pavarësisht rënies së ditëve të fundit, çmimet e naftës bruto mbeten mbi 40% më të larta krahasuar me fillimin e vitit, pasi konflikti gjashtëmujor ka kufizuar ndjeshëm furnizimet me energji nga Gjiri Persik.
Analisti i energjisë në MST Marquee, Sol Kavonic, tha se tregu ka nisur të përfshijë në çmime mundësinë e një armëpushimi të ri. Bisedimet mes Omanit dhe Iranit konsiderohen potencialisht si një hap drejt një marrëveshjeje më të gjerë mes Teheranit dhe Uashingtonit.
Megjithatë, investitorët mbeten të kujdesshëm. Përpjekjet e mëparshme për uljen e tensioneve kanë dështuar dhe tregu kërkon prova më konkrete se një marrëveshje e qëndrueshme mund të arrihet./kb
