Last Updated on 08/10/2025 by adminfjala
Nga 1 janari 2026 do të hyjnë në fuqi çmimet e referencës së apartamenteve në rrethe. Nga 65 zona kadastrale numri i tyre është shtuar gjithsej në 119 zona.
Por çmimet e referencës pritet të rrisin detyrimet e qytetarëve në rrethe për taksën e ndërtesës së banesave të banimit dhe për dyqanet, pasi baza e taksueshme e ndërtesës llogaritet me çmimet e referencës.
Monitor ka llogaritur ndryshimet e detyrimeve për taksat për 119 zonat e reja kadastrale.
Ndryshimet më të larta të çmimeve të referencës propozohen për qarkun e Durrësit, veçanërisht për zonën kadastrale nr.13 që përkon me zonën e portit të Durrësit ku po zhvillohet projekti i Durrës Yahts Marina. Nga 67,500 që është aktualisht çmimi i vetëm i referencës së shitblerjes së apartamenteve në Durrës në këtë zonë është propozuar çmimi prej 200 mijë lekë. Rritja 196%.
Për një familje që zotëron një apartament me sipërfaqe 60 m2, në Kamzë nga 1,560 lekë në vit apo 130 lekë në muaj do të bëhet nga 1 janari 2026 detyrimi 2,250 lekë në vit apo 187 lekë në muaj. Rritja 44%. Për biznesin që disponon një dyqan me sipërfaqe 90 m2 në këtë zonë detyrimi vjetor për taksën e ndërtesës është 9,360 lekë në vit. Me rritjen e referencave detyrimi do të arrijë në 13,500 lekë në vit.
Bashkia e Vlorës nga 61,800 lekë për metër katror që ishte çmimi i referencës me propozimet e reja zona e Vlorës ndahet në 7 zona kadastrale me çmime që nisin nga 45 mijë deri 140 mijë lekë për metër katror dhe ishulli i Sazanit me çmim reference 200 mijë lekë për metër katror. Rritja e çmimeve në Vlorë arrin deri 58,6% krahasuar me çmimet e miratuara nga 2019.
Një familje me një apartament me sipërfaqe 60 m2 në zonën nr. 1 kadastrale në Vlorë detyrimi për taksën e ndërtesës do t’i arrijë në 2,940 lekë në vit apo 245 lekë në muaj nga 154 lekë në muaj që është aktualisht. Për biznesin detyrimi vjetor i taksës së ndërtesës nga 11,124 lekë në vit do të arrijë në 17,640 lekë në vit. Rritja do të jetë rreth 59%.
Nga 1 janari 2026 gjithashtu parashikohet të nisë zbatimin ligji për vlerësimin e pasurive të paluajtshme me taksë të reduktuar. Nga 15% që është tatimi është propozuar 5%.
Po ashtu nga 1 janari 2026 parashikohej të niste zbatimin edhe taksa e re pasurive të paluajtshme. Por Ministria e Financave është duke hartuar një projektligji tërësisht të ri, që pritet të miratohet vitin e ardhshëm. Zbatimi parashikohet të nisë nga 2028. Periudha 2026-2027 do të përdoret për përgatitjen e të gjitha akteve dhe udhëzimeve të nevojshme. / Monitor/kb

