Last Updated on 17/09/2026 by Anisa
Trishtim i madh ka prekur zemrat e të gjithë shqiptarëve, sidomos të asaj pjese që jeton në Kosovë, pasi dje në Hagë u dha dënim me burg për katër çlirimtarët 25 vite burg për Thaçin e Krasniqin, 18 vite për Kadri Veselin si dhe 13 vite për Rexhep Selimin. Vetëm pak orë pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së është zbuluar për herë të parë një pjesë nga ditari i të madhit Rexhep Qosja, i cili shkruante mbi momentin e arrestimit dhe dërgimit në Hagë të katërshes.
Në ditarin e tij, publicisti Qosja përshkroi momentin e bastisjes dhe arrestimet e katër ish-krerëve të UÇK-së, për të cilat gjatë shkrimit të tij ai thekson se prangosja e çlirimtarëve ishte tërësisht ndryshe nga seç u raportua në 2020, kur ata u vunë në pranga. Duke nisur nga bastisja e shtëpisë së Krasniqit për të cilën mendimtari Qosja nënvizon se zgjati nga orët e para të mëngjesit të 4 nëntorit e deri pasdite dhe jo nëntë orë siç u raportua, ndërsa vijon më tej se shoqërimi i tyre drejt Hagës u njoftua si udhëtim, ndërkohë që ata do të përballeshin me drejtësinë.
“Uniforma të EULEX-it iu kanë turrur sot shtëpisë së ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe historianit, Jakup Krasniqi, në Prishtinë dhe shtëpisë në fshatin e lindjes. Bastisja e tyre në shtëpinë e Jakupit ka zgjatur prej mëngjesit, herët, e deri pasdite, mediet thonë afër nëntë orë. Au! Au! Çfarë vrazhdësie! Çfarë egërsie! Më vonë merret vesh se janë marrë edhe librat e tij që ka shkruar – për të parë çka kishte shkruar e çka kishte menduar! Stalinizëm “demokratik” europian!
Kjo sjellje ndaj zëdhënësit të UÇK-së, sipas të gjitha gjasave, është parathënie e sjelljes që do të pasojë ndaj kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçit, i akuzuar prej “Dhomave të Posaçme të Kosovës” në Hagë. Në mbrëmjë merret vesh se Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, shefi i Grupit të deputetëve të (Lëvizjes Vetëvendosje) Kuvendit të Kosovës janë çuar në Hagë! Mediet tona thonë çfigurshëm : udhëtuan për në Hagë! Jam shumë i brengosur. Keqardhje e madhe më ka pushtuar. Po përjetojmë ditë të vështira! Kosova institucionalisht nuk është e aftë, nuk është e përgatitur për të mbrojtuar askë e asgjë” shkruhet në ditarin e Qosjes.
Në një tjetër faqe të ditarit të pabotuar më parë të Rexhep Qosjes, vihet në fokus dhe rrjedha e ngjarjeve të atëhershme: momenti i shoqërimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët fillim nëntori të 2020 u nisën pastaj me” Jeep”-at e EULEX-it në drejtim të aeroportit. Shkrimi i Qosjes vijon më tej duke shtuar se para se të merrej prej Euleksit, Thaçi dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të Kosovës, pas momentit kur u bë me dije se vendimi i Dhomave të Posaçme të Kosovës në Hagë se aktakuza ndaj tij është konfirmuar!
Gjithashtu nga posti që mbante si kryetar i PDK-së dhe nga të gjitha postet zyrtare që kishte dha edhe Kadri Veseli. Këto veprime, sipas Qosjes janë aktakuzat e konfirmuara më tronditëse, që e rëndojnë shumë UÇK-në, që e rëndojnë edhe Kosovën shtet, që na rëndojnë shumë të gjithëve. Më tej në ditarin e Qosjes nxirret në pah dhe fakti se katërshja e UÇK-së u dënua pikërisht nga Gjykata e Posaçme, të cilën me përjashtim të Rexhep Selimit, votuan krijimin e saj.
Kundër krijimi të kësaj gjykate mësohet se ishte dhe vetë Rexhep Qosja i cili në ditarin e tij ka theksuar se ne si shqiptarë nuk kemi aq fuqi sa të kundërshtojmë OKB-në, SHBA-në dhe BE-në në krijimin e këtij institucioni, por të paktën nuk duhet të jepnim votat tona për themelimin e saj.
Në përmbyllje të ditarit të tij të publikuar së fundmi, mësohet se Qosja shkroi zemërthyer se si kjo Gjykatë e cila u ngrit me votat e çlirimtarëve, ka vënë në pranga personat që luftuan për të mbrojtur vendin, popullin dhe veten e tyre nga shtypja e Serbisë.
“Njëzet vjet pas luftës ne përndiqemi penalisht e “juridikisht” prej Gjykatës së Posaçme që krijuam vetë.E krijuan atë Gjykatë ata që tani do të gjykohen prej saj! Isha kundër krijimit të asaj Gjykate me shkrime e me intervista. E theksoja: ne nuk mund të pengojmë OKB-në, SHBA-në dhe BE-në të krijojnë atë Gjykatë, por ne vetë, kurrsesi nuk duhet ta krijojmë. Nuk duhet të pranojmë që të dënojmë vetëveten. Lufta jonë ishte luftë mbrojtëse, luftë çlirimtare, luftë për të mbrojtur jetën tonë, shtëpitë tona, tokën tonë, ekzistencën tonë nga pushtimi, eksploatimi, shtypja e Serbisë. Luftërat mbrojtëse, çlirimtare kurrë, gjatë historisë nuk janë nxjerrë para gjykatësve, nuk janë dënuar në Evropë. Qe, po duan të na dënojnë tani ne! Çudi e madhe është kjo. E kjo çudi do të jetë e tmerrshme po të marrim pjesë edhe ne, vetë, në krijimin e saj – për të dënuar vetëvetën! Jo! Jo! Jo!
Por Hashim Thaçi ishte këmbëngulës për ta krijuar ne, vetë, këtë Gjykatë të posaçme! Më vonë u muar vesh se Hashim Thaçi, Kadri Vesli e Rexhep Selimi janë çuar me aeroplan ushtarak në Hagë!
O, o, o sa jam i tronditur! Dje Jakupi, Jakup Krasniqi, e sot këta te tre! Hashimi, Kadriu, Rexhepi! Çka do Evropa? Çka do të arrijë me këto Gjykime të Gjykatës së Posaçme? Ta barazojë luftën tonë mbrojtëse me luftën pushtuese të Serbisë? KOSOVË! KOSOVË! ÇKA PRITE!”, shkruhet më tej në ditarin e Qosjes.
Publikimi i një pjese të ditarit të Qosjes vjen një ditë pas vendimit që theu zemrat e të gjithëve, dënimit me 81 vite burg në total për çlirimtarët e Kosovës./ad
