Revista amerikane “Newsweek” i ka kushtuar një opinion situatës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, duke vënë në qendër të debatit kohën e gjatë të qëndrimit të tij në paraburgim pa një vendim përfundimtar gjyqësor.
Autori i shkrimit është Jason D. Greenblatt, ish i dërguari i posaçëm i administratës Trump për Lindjen e Mesme dhe ish-drejtues në Trump Organization. Në analizën e tij, Greenblatt e paraqet rastin Veliaj si shembull të shqetësimeve që lidhen me përdorimin e institucioneve të drejtësisë ndaj figurave politike.
Sipas tij, zgjatja e paraburgimit ngre pikëpyetje mbi respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës dhe mbi mënyrën se si po zbatohet reforma në drejtësi në Shqipëri. Greenblatt e lidh këtë çështje edhe me debatet më të gjera për atë që ai e konsideron si përdorim politik të proceseve gjyqësore, duke sjellë si paralelizëm përvojën e Donald Trump para rikthimit të tij në Shtëpinë e Bardhë.
Në opinion, autori kritikon veçanërisht situatën kur një person mbahet për një periudhë të gjatë në paraburgim pa u shpallur fajtor. Ai ngre gjithashtu shqetësime për funksionimin e sistemit gjyqësor shqiptar dhe për pasojat që raste të tilla mund të kenë në perceptimin ndërkombëtar të Shqipërisë.

Greenblatt i referohet edhe vlerësimeve të institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Komisionin e Venecias dhe Departamentin Amerikan të Shtetit, për të argumentuar se sfidat e drejtësisë në Shqipëri nuk lidhen vetëm me luftën kundër korrupsionit, por edhe me garantimin e një procesi të drejtë dhe respektimin e të drejtave të të pandehurve.
Sipas tij, çështja Veliaj mund të ndikojë edhe në imazhin e Shqipërisë përballë investitorëve të huaj dhe në besimin ndaj institucioneve të drejtësisë. Në përfundim, ai argumenton se reforma nuk mund të quhet e përfunduar nëse standardet ligjore nuk zbatohen në mënyrë të barabartë për të gjithë, përfshirë edhe prokurorët.
Jason D. Greenblatt është një avokat dhe diplomat amerikan, i cili ka qenë prej vitesh pjesë e rrethit të bashkëpunëtorëve të Donald Trump. Ai punoi për rreth dy dekada në Trump Organization dhe në vitin 2017 u emërua i Dërguar i Posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për Lindjen e Mesme.
Gjatë kësaj periudhe, Greenblatt ishte një prej figurave të përfshira në hartimin e planit amerikan “Peace to Prosperity” dhe në përpjekjet diplomatike që paraprinë Marrëveshjet e Abrahamit. Aktualisht ai është i angazhuar në fushën e diplomacisë arabo-izraelite./ad
