Last Updated on 05/05/2026 by Kesjana
Cap d’Agde, në jug të Francës, i njohur ndërkombëtarisht si destinacion për nudistët, duket se po ndryshon ndjeshëm karakter. Banorët ankohen se zona është “pushtuar” nga swingers (çifte që ndërrojnë partnerë), të cilët përfshihen në aktivitete seksuale të hapura në publik, duke transformuar natyrën tradicionale të fshatit naturist.
Fshati nudist në Cap d’Agde, i cili përfshin hotele, pallate, vila dhe kampingje, pret deri në 40 mijë vizitorë gjatë sezonit turistik.
Sipas burimeve nga brenda komunitetit, swingers tashmë përbëjnë shumicën e popullsisë. Ajo që dikur ishte thjesht një destinacion pushimi për nudistët është shndërruar në diçka më hedoniste, ku vizitorët e rinj përfshihen në akte seksuale në një pjesë të plazhit ku “gjithçka lejohet”.
Barbara, një britanike që jetonte në zonë me bashkëshortin e saj (dhe tani qëndron vetëm gjatë verës), deklaroi për gazetën The Sun: “Që kur filluam të vinim këtu rreth 30 vite më parë, profili i vizitorëve ka ndryshuar rrënjësisht”.
Sipas saj, ndryshimi i madh erdhi kur swingers ndërkombëtarë filluan të frekuentonin zonën. “Kjo e bëri vendin shumë më ekskluziv, duke krijuar një ndarje të qartë mes nudistëve tradicionalë dhe brezit të ri të vizitorëve që ndjekin këtë stil jetese”, u shpreh ajo.
Barbara menaxhon gjithashtu një aplikacion për swingers të quajtur “SpicyMatch”, i cili lidh përdorues dhe organizon evente që mbushin hotelet e zonës. Ajo vlerëson se raporti mes nudistëve dhe swingers është rreth 60 me 40 për qind.
Dëshmitë për sjellje të papërshtatshme
Ndërsa nudizmi praktikohet normalisht në supermarkete, parukeri dhe dyqane të zonës, reagimet më të forta vijnë për aktet seksuale në publik, sidomos në plazh.
Dëshmitë përshkruajnë skena ku turma burrash mblidhen rreth çifteve që kryejnë marrëdhënie seksuale, ndërkohë që familje me fëmijë kalojnë vetëm pak metra më tutje. Edhe pse ekzistojnë tabela paralajmëruese për “ekshibicionizëm seksual”, me dënime që arrijnë deri në një vit burg dhe gjobë 15 mijë euro, këto aktivitete vazhdojnë shpesh edhe nën vëzhgimin e autoriteteve.
Bashkëjetesa mes dy grupeve nuk ka qenë gjithmonë paqësore. Në vitin 2008 shpërtheu një “luftë” mes nudistëve dhe swingers, që përfshiu edhe zjarrvënie në klube. Megjithatë, sot situata duket më e qetë, me të dyja palët që, sipas dëshmive, bashkëjetojnë në mënyrë më harmonike./kb
