Last Updated on 14/08/2026 by Kesjana
Tan Koka
Në lagjet e qytetit, siguria e qytetarëve nuk mund të lihet në mëshirë të fatit.
Kabllot elektrike kanë zaptuar muret e pallateve, trotuaret dhe hapësirat ku kalojnë e çlodhen qytetarët. Në shumë raste, ato kalojnë mbi kokat e njerëzve, duke krijuar një rrezik të drejtpërdrejtë për jetën dhe pronën.
Një shkëndijë elektrike mund të mjaftojë për të shkaktuar zjarr në një pallat, biznes apo banesë.
Rreziku është edhe më i madh për:
– fëmijët;
– nënat me karroca;
– personat me aftësi të kufizuara;
– të moshuarit;
– çdo qytetar që përdor trotuaret dhe hapësirat publike.
Nuk mund të quhet normalitet që në çdo skaj të qytetit, lagjet të jenë të zaptuara nga kabllot elektrike dhe hapësirat publike të jenë të pasigurta.
Kush mban përgjegjësi nëse ndodh tragjedia?
Nuk duhet të presim që një pallat të marrë flakë, që një fëmijë të lëndohet apo që një qytetar të pësojë goditje elektrike për të reaguar.
Kërkojmë nga institucionet përgjegjëse një inspektim urgjent në të gjitha lagjet e qytetit, evidentimin e kabllove të rrezikshme dhe marrjen e menjëhershme të masave për sistemimin, zhvendosjen ose sigurimin e tyre sipas standardeve të sigurisë.
Trotuaret, muret e pallateve dhe vendet e çlodhjes janë hapësira të qytetarëve, jo korridore të rrezikshme për kabllot.
Dibra ka nevojë për siguri, rregull dhe përgjegjësi institucionale.
Mos të presim tragjedinë për të thënë:
“Pse nuk ndërhymë më parë?”
Ku shkojnë taksat e qytetarëve?
Sa miliona lekë apo euro janë investuar në mirëmbajtjen dhe sigurinë e rrjetit elektrik në Dibër?
Cilat janë fondet publike, kontratat dhe tenderët për kabllot, shtyllat dhe rrjetin elektrik?
Dhe mbi të gjitha:
KU ËSHTË SIGURIA E QYTETARËVE?
Nëpër pallate e biznese mungojnë në shumë raste kushtet e duhura të sigurisë, ndërsa muret janë të zaptuara nga kabllo elektrike dhe instalime që kërkojnë kontroll profesional.
Kabllot që kalojnë pranë ndërtesave dhe mbi hapësirat ku lëvizin qytetarët nuk janë thjesht çështje estetike. Ato kërkojnë inspektim, mirëmbajtje dhe garantim të standardeve të sigurisë.
Kur një pallat apo biznes digjet, pyetja qytetare është e drejtë:
A u kontrollua rrjeti elektrik?
A ishin instalimet sipas standardeve?
A kishte mirëmbajtje?
A kishte sistem mbrojtjeje nga zjarri?
A kishte dalje dhe shkallë emergjence?
Për çdo zjarr duhet të flasin ekspertiza teknike dhe autoritetet kompetente, jo hamendësimet.
Edhe rastet e zjarreve në objekte publike, përfshirë Pallatin e Kulturës, kërkojnë transparencë: të bëhet publike ekspertiza dhe të përcaktohet qartë shkaku i zjarrit dhe përgjegjësitë, nëse ka të tilla.
Nuk akuzojmë pa prova.
Por nuk heshtim kur kërkojmë prova.
Qytetarët kanë të drejtë të dinë ku shkojnë taksat e tyre, si përdoren fondet publike dhe kush garanton sigurinë e pallateve, bizneseve dhe hapësirave publike.
Kërkojmë:
– transparencë për fondet dhe tenderët;
– inspektim të rrjetit elektrik në lagjet e qytetit;
– evidentim dhe sistemim të kabllove të rrezikshme;
– kontroll të kushteve kundër zjarrit në pallate dhe biznese;
– verifikim të daljeve dhe shkallëve të emergjencës;
– publikimin e ekspertizave për zjarret në objektet publike;
– përgjegjësi institucionale aty ku konstatohet shkelje.
Taksat e qytetarëve nuk janë pronë e askujt.
Fondet publike kërkojnë transparencë.
Siguria e qytetarëve kërkon përgjegjësi.
ZANI I DIBRËS
ZËRI QYTETAR — Tan Koka
