Kamber Sulçaj, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit italian Edoardo Sarchi në Tepelenë më 27 shtator, është lënë në burg pa afat. 48-vjeçari doli para Gjykatës së Shkallës së Parë në Gjirokastër dy ditë pasi u vetëdorëzua në polici pasi ishte shpallur në kërkim nga policia lidhur me këtë ngjarje.
Vetë 48-vjeçari ka qëndruar i heshtur përgjatë gjithë seancës së vlerësimit të masës së sigurisë. Avokati është shprehur se do ta ankimojë në Apelin e Tiranës masën e burgut pa afat që u dha nga gjyqtarja Entela Selmanaj.
Ai gjithashtu ka dorëzuar edhe armën me të cilën dyshohet se ka kryer krimin si dhe lejen që dispononte dhe nuk ka pranuar të japë deklarime për policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit.
Ngjarja e rëndë ndodhi mesnatën e 27 shtatorit teksa biznesmeni italian Edoardo Sarchi ndodhej në shtëpinë e pushimit të mikut të tij në Salari, Eqerem Braçit. Sarchi e Braçi u nisën për t’u shkuar në ndihmë dy djemve të Braçit, Gazmend dhe Daniel, të cilët kishin pësuar defekt me makinën pasi kishin dalë për gjueti.
Gjatë rrugës ata u përballën me një automjet që drejtohej nga Kamber Sulçaj, i cili kishte ndezur dritat e gjata. Aty mendohet të ketë nisur një debat që i ka nxjerrë palët nga makinat e tyre, pasi dritat e gjata nuk po fikeshin duke penguar shikimin. Sulçaj nuk e ka lënë me kaq dhe duke i ndjekur nga pas teksa italiani dhe miku i tij po i shkonin në ndihmë djemve që kishin dalë për gjueti, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të makinave të ndaluara. Një plumb rikoshet me asfaltin, kapi në arterien kryesore në këmbë, dhe la të pajetë Edoardo Sarchin, i cili mendohet se fshihej pas makinës.
Kamber Sulçaj u pikas nga policia pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë. Pas vrasjes, Sulçaj u afrua në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë. Automjeti i autorit dhe veshjet e asaj nate, u gjetën së bashku me automjetin e braktisur pranë një stani. Aty gjithashtu u gjet një çantë me 2 dylbi (termik dhe me rreze infra), 1 elektrik dore dhe 1 mbajtëse arme. /K.M
