Po mbahet sot Konferenca e Kryetarëve ku po shqyrtohet kërkesa e Partisë Demokratike “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal” si dhe ajo për “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për kontrollin e ligjshmërisë së veprimtarisë të organeve të pushtetit qendror dhe pushtetit vendor, si dhe për të verifikuar përdorimin e burimeve të administratës shtetërore për qëllime elektorale në zgjedhjet e 11 maj 2025”. Pjesë e rendit të ditës është dhe kërkesa për ‘Zhvillim të mocionit me debat’.
Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi ka tërhequr vëmendjen për sjelljen dhe fjalorin që ka përdorur opozita në sallën e Parlamentit. Sipas tij gjuha që u përdoret në Kuvend është e turpshme dhe se standardet e parlamentarizmit europian duhet të jenë ato që duhet t’i udhëheqin në çdo veprim.
Gjuha që u përdor dje në sallën e Kuvendit ka qenë e dhunshme dhe e turpshme, përtej çdo caku të pranueshëm, edhe kur vjen nga opozita, edhe në kontekstin e opozitarizmit është e papranueshme. Ajo që ndodhi dje nuk mund të fshihet pas finesës suaj letrare.
“Standardet e parlamentarizmit europian, të cilat ne synojmë t’i arrijmë e për të cilat kemi bërë hapa të rëndësishëm integrues, janë ato që duhet të na udhëheqin në çdo veprim, në çdo dalje dhe në çdo debat tonin. Merrni çdo parlament të Bashkimit Europian dhe shikoni çfarë ndodh atje: ka debat të fortë, por kurrsesi fjalor që degradon figurën e institucionit dhe kolegëve.
Parlamenti shqiptar është ndër më liberalët në BE, në raport me hapësirat dhe liritë që u jep të gjithë deputetëve në sallë. Por kjo liri shoqërohet me një përgjegjësi themelore, sepse me sjelljen tonë modelojmë shoqërinë.
Për sa më përket, gjatë gjithë drejtimit tim dhe në mbarë karrierën time politike, mund të akuzohem vetëm për durimin e tepruar. Kam treguar një durim të jashtëzakonshëm dhe nuk jam marrë, e as do të merrem, me sulme personale ndaj askujt.
E vlerësoj shumë edhe elokuencën tuaj politike, por sot më vjen keq të them se ndërhyrja juaj është thellësisht e ndikuar nga kalkulime politike. Nëse ju vazhdoni të mbroni atë që ndodhi dje, në fakt po nxisni një klimë përplasjesh dhe mosmarrëveshjesh që nuk i shërben askujt as Kuvendit, as qytetarëve, as vetë opozitës”, tha Peleshi./ K.M
