Nga protestat studentore te paraliza e një kryeqyteti që duket se ka humbur aftësinë për të vetërregulluar jetën e vet
Nga Leonard Veizi
Çfarë po ndodh me Tiranën në këto ditë të zjarrta protestash studentore dhe protestash të tjera, më të vakëta në numër, por jo më pak të rëndësishme në atë që shprehin?
Kryeqyteti duket se ka humbur fillin e ditës. Rrugët janë të mbingarkuara, kryqëzimet pika bllokimi, lëvizja një përpjekje individuale për të mbijetuar mes rrëmujës. Tirana nuk është thjesht një qytet me trafik të rënduar, por një qytet ku po dobësohet vetë mekanizmi që duhet ta mbajë në këmbë jetën e përditshme.
Mjafton të shohësh trafikun. Semaforët prej kohësh nuk e zgjidhin dot problemin. Në shumë nyje, si te 21 Dhjetori, vendin e tyre e kanë zënë policët e qarkullimit. Me gjeste mundohen të bëjnë atë që sistemi teknik nuk e bën dot me sinjale: ndalin një radhë, lirojnë tjetrën, zhbllokojnë një krah ndërsa bllokohet tjetri.
Polici mund të zëvendësojë përkohësisht semaforin, por jo një sistem të tërë menaxhimi. As mund të shpikë rrugë të reja në mes të kryqëzimit. Ai zgjidh bllokimin e çastit, por jo problemin urbanistik të grumbulluar ndër vite.
Dhe këtu nis problemi i vërtetë: Tirana është rritur më shpejt sesa aftësia e saj për t’u organizuar. Në çdo kryeqytet, protestat dhe devijimet krijojnë vështirësi të përkohshme. Por këtu mjafton një pengesë në një aks kryesor që të nisë reaksioni zinxhir: një rrugë bllokohet, një kryqëzim mbushet, një tjetër paralizohet. Autobusët humbasin orarin, këmbësorët mbeten në pritje dhe qytetari zbulon se një distancë e zakonshme kërkon një kohë të paparashikueshme.
Protesta është e drejtë. Por administrimi i qytetit nuk mund të vihet në gjumë sa herë që një pjesë e tij del në rrugë.
Në sheshet qendrore shfaqet pamja tjetër e kaosit. Pedonalet, të konceptuara si vende ku njeriu ecën i qetë, janë kthyer në korridore ku motorët e shpërndarjes së ushqimit lëvizin me shpejtësi, të ndjekur nga biçikletat elektrike. Njeriu që del për shëtitje në qendër duhet të ruhet nga mjeti që i del përpara. Edhe pedonalja rrezikon të mos jetë më e tillë.
Nuk ka asgjë të keqe që qytetari porosit ushqim në shtëpi, as që punonjësi fiton bukën duke shpërndarë porosi. Por kur shërbimi komercial merr përparësi mbi sigurinë publike, problemi nuk është te individi, por te rregullat dhe zbatimi i tyre. Një qytet serioz mbron njëkohësisht punën, lëvizjen dhe sigurinë. Tirana duket se e ka humbur ekuilibrin mes të trijave.
Ka rënë në krizë jo vetëm sistemi teknik, por edhe sistemi qytetar i vetërregullimit. Rregulli nuk mbahet vetëm me semaforë dhe tabela, por me bindjen se hapësira publike u përket të gjithëve dhe se liria e njërit mbaron aty ku nis siguria e tjetrit. Kur kjo bindje dobësohet, secili kërkon të kalojë i pari, të futet mes makinave, të ngjitet në trotuar. Në fund, të gjithë humbasin kohë.
Por kaosi nuk shpjegohet vetëm me sjelljen e qytetarëve. T’u kërkosh disiplinë pa u ofruar një sistem funksional është mënyra më e lehtë për t’ia kaluar përgjegjësinë tjetrit.
Këtu hyn drejtimi i qytetit. Tirana po përballet, përtej trafikut dhe protestave, me mungesën e një autoriteti drejtues të perceptuar si i pranishëm, aktiv dhe përgjegjës për tërësinë e jetës urbane. Një kryeqytet i kësaj madhësie nuk funksionon me ndërhyrje rasti dhe zgjidhje emergjente.
Qyteti ka nevojë për dikë që merr vendime, koordinon institucionet, parashikon pasojat dhe mban përgjegjësi. Jo vetëm për të dalë në fotografi kur mbarojnë punimet, por për të qenë aty kur qyteti ngec.
Dhe këtu lind pyetja politike: kush po e drejton Tiranën në këtë moment? Kur drejtuesi kryesor mungon, fizikisht apo në rol, barra bie mbi zëvendësuesin. Por numri dy nuk është gjithmonë numri një. Jo se i mungon aftësia, por sepse autoriteti, përgjegjësia dhe legjitimiteti nuk janë e njëjta gjë.
Një drejtues i përkohshëm kryen detyrat e përditshme, por mund të mos ketë peshën politike për vendime të vështira. Nëse e sheh postin si stacion kalimtar, pritshmëria për drejtim afatgjatë dobësohet. Një kryeqytet nuk drejtohet me logjikën e një karrigeje që sot është e dikujt dhe nesër e një tjetri. I duhet vazhdimësi institucionale dhe një zinxhir i qartë përgjegjësish.
Ndërkohë, protestat studentore nuk mund të trajtohen si bezdi për qarkullimin. Studentët dalin sepse kërkojnë të dëgjohen. Protesta e tyre gjykohet nga kërkesat dhe nga përgjigjja e institucioneve, jo nga numri i makinave në trafik. Edhe protestat e tjera, më të vogla, janë pjesë e jetës demokratike. Një qytet që proteston nuk është domosdoshmërisht në krizë. Kriza nis kur institucionet nuk ruajnë dot funksionimin e përditshëm dhe qytetari nuk sheh më një adresë ku të kërkojë llogari.
Pyetja nuk është nëse Tirana përballon një ditë protestash. Çdo kryeqytet demokratik duhet ta përballojë. Pyetja është nëse përballon njëkohësisht protestat, trafikun, shpërfilljen e rregullave dhe mungesën e një drejtimi që i lidh të gjitha në një përgjigje të vetme.
Sepse qyteti nuk është vetëm bulevardi i protestës apo kryqëzimi ku polici zhbllokon makinat. Është edhe autobusi që duhet të arrijë në kohë, fëmija që duhet të kalojë i sigurt rrugën dhe qytetari që nuk mund të humbasë gjysmën e ditës për disa kilometra.
Tirana ka nevojë për rregulla që funksionojnë edhe kur rrugët mbushen me protestues, për një polici që nuk lihet të bëjë me dorë punën e një sistemi dhe për një drejtim që nuk shfaqet vetëm kur ka kamera.
Protestat do të mbarojnë. Kolonat do të shpërndahen. Por nëse nuk ndryshon mënyra si administrohet kryeqyteti, kaosi do të mbetet aty, duke pritur rastin e radhës. Dhe atëherë nuk do të mund t’ia vëmë fajin vetëm protestës, trafikut apo mungesës së një drejtuesi në zyrë. Sepse një qytet që nuk di të vetërregullohet ka nevojë për institucione që dinë ta drejtojnë. Kur mungojnë të dyja, Tirana nuk ecën përpara. Thjesht përpiqet të dalë nga bllokimi i radhës.
