Kryeministri Edi Rama komentoi sërish në podcastin Flasim vendimin e Kushtetueses që rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e Veliajt.
“Ka disa rrjedhime logjike nga ky vendim që dua ti ri nënvizoj, pasi e kam shprehur. Siç duket dhe nuk është hera e parë, unë nuk i paskam kapur të tëra pushtetet, është gjë e mirë që duhet ta pranojnë dhe ata që e kundërshtojnë jo mbi të vërtetat, por mbi të pavërtetat. Tirana nuk do ketë zgjedhje deri në 2027 dhe kushtetuesja mendon se dhe Kushtetuesja mendon se kryebashkiaku i burgosur i Tiranës nuk mund të largohet përveçse me zgjedhje, atëherë këtu jemi përballë një disproporcioni të dyfishtë, të mbajtjes së tij në qeli në dëm të lirive e të drejtave kushtetuese të tij si person dhe si i zgjedhur për të drejtuar qytetin, por edhe dispropozcioni në dëm të së drejtës kushtetuese të popullit të kryeqytetit për t’u shërbyer nga i zgjedhuri i vet apo jo
Çdo njeri normal që nuk sheh tek qëndrimi i Kushtetueses një qëndrim të verbër kundër qeverisë në dëm të madh të Tiranës, por një qëndrim të vendosur parimor, nuk ka se si të mos presë që me të njëjtën parimësi, kur të gjykojë paraburgimin e tij, Kushtetuesja ta kthejë Erion Veliajn në detyrë, për të vijuar procesin gjyqësor në gjendje të lirë apo jo. Edhe kjo është gjeja më normale. E para dhe e dyta janë të sigurta, e treta mbetet për tu parë.
Çfarëdo është thënë, nuk ka thënë të vërtetën lidhur me arsyen e shkarkimit të kryetarit të bashkisë nga qeveria, si rrjedhojë e vendimit të marrë nga PS në Këshillin Bashkiak. E vërteta është e thjeshtë, Tirana duhet drejtuar, Tirana nuk mund të jetë një trup pa kokë, kryeqyteti i Shqipërisë ka nevojë për të zgjedhurin e vet mbi krye. Kështu që kush ka në dorë të ndihmojë në zgjidhjen e këtij ngërçi absurd, duhet të kujtohet se përtej teorive të konspiracioneve, kryeqyteti nuk mund të trajtohet si jetim për vite me radhë. Ky është një skandal, skandal për të cilin qytetarët e Tiranës paguajnë një kosto”, tha Rama./ K.M
