Last Updated on 20/02/2026 by Anisa
Ish-deputeti i Ervin Salianji ka kërkuar reflektim brenda Partisë Demokratike, duke nënvizuar se çdo largim nga partia duhet të konsiderohet përgjegjësi e drejtuesve, dhe jo e anëtarëve.
Në një intervistë për Quo Vadis, Salianji tha se demokratët që angazhohen në parti synojnë të jenë fitues dhe nuk mund të etiketohen si “kriminelë” vetëm për të kërkuar sukses politik.
“Quhen kriminalë demokratët që duan të jenë fitues. Të gjithë demokratët që vijnë aty duan të jenë fitues. Partia ka vetëm një interes: të rrisë numrin e anëtarëve dhe votuesve. Por drejtuesit duan ta mbajnë partinë si pronë personale,” u shpreh ai.
Salianji kritikoi qasjen e udhëheqësve, sipas të cilëve mendimi i anëtarëve shpesh nuk merret parasysh:
“Nëse drejtuesit thonë se nuk na intereson çfarë mendojnë demokratët, duan ta mbajnë si pronë. Duhet ta bëjmë tani, që të mos flasim pas një viti. Duhet të ishim sot me 61 kandidatë, të ndarë në zona. Kur janë në PD, nuk ikën njeri. Përgjegjësia për çdo largim nga PD është e lidershipit.”
Salianji u shpreh se partitë politike duhet të jenë hapësira për të gjithë demokratët dhe se qasja e mbyllur e drejtuesve po rrezikon unitetin dhe suksesin e forcës politike./A.D
