Meta përshëndet Malin e Zi për ligjin e ri, kjo është rëndësia për pakicat

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka përshëndetur ‘Ligjin për Zgjedhjen’ i cili është miratuar nga Kuvendi i Malit të Zi. Sipas këtij ligji qeveria e Malit të Zi ju garanton pakicave kombëtare të drejtat si përdorimi i vendosjes publike të simboleve kombëtare, si dhe kremtimi i festave të tyre kombëtare.

Në postimin në faqen e tij zyrtare në Facebook,  Meta shprehet se ky ligj, që priste miratimin që prej vitit 2017 u garanton komunave ku shqiptarët përbëjnë 5% të popullsisë shënimin e festës kombëtare.

Postimi i presidentit:

Përshëndes miratimin në Kuvendin e Malit të Zi të Ligjit për Zgjedhjen, Përdorimin dhe Shfaqjen Publike të Simboleve Kombëtare për t’ju garantuar pakicave kombëtare e drejta dhe liria e zgjedhjes, përdorimit dhe vendosjes publike të simboleve kombëtare, si dhe kremtimi i festave të tyre kombëtare. Ky ligj, që priste miratimin që prej vitit 2017 u garanton komunave ku shqiptarët përbëjnë 5% të popullsisë shënimin e festës kombëtare.

Një hap i rëndësishëm në drejtim të respektimit të të drejtave të pakicave dhe në dobi të forcimit të kohezionit social dhe kontributit të tyre në ndërtimin e shtetit të së drejtës.

Përgëzime jo vetëm partive politike shqiptare por të gjithë institucioneve në Malin e Zi që kontribuuan në miratimin e këtij ligji të rëndësishëm.