“Largohuni menjëherë nga Iraku”, ultimatumi i SHBA-ve për qytetarët e saj

“U bëjmë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Iraku” ky ishte ultimatumi i prerë i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Reagimi i fortë i SHBA-ve erdhi pas vrasjes së gjeneralit Iranian, Qassem Soleimani, gjatë një sulmi ajror me dron të urdhëruar nga presidenti Donald Trump.

Në njoftimin e shpërndarë për median zyra e shtypit e departamentit thekson se “për shkak të tensioneve të ngritura në Irak dhe rajon, ne u bëjmë thirrje qytetarëve amerikanë që të largohen menjëherë nga Iraku. Për shkak të sulmeve të milicisë të mbështetur nga Irani në kompleksin e ambasadës amerikane, të gjitha operacionet konsullore janë pezulluar. Qytetarët e SHBA-së nuk duhet të afrohen pranë Ambasadës”.

Nga të dhënat e deritanishme mësojmë se gjenerali Soleimani u godit në aeroportin e Bagdadit në Irak, qytet ku ka patur së fundmi protesta të forta anti-amerikane.

Soleimani ishte Komandanti i Forcës elitë Al-Quds, pjesë e Ushtrisë së Gardës Revolucionare të Iranit. Vrasja e tij nga shumë ekspertë po konsiderohet si momenti më delikat në Lindjen e Mesme që pas Luftës së Irakut. Përgjigja e Uashingtonit erdhi pas sulmeve të bëra ditët e fundit ndaj Ambasadës Amerikane në Baghdad, të cilat mendohet se janë nxitur nga forcat iraniane.

Drejtuesit e Iranit kanë reaguar ashpër duke paralajmëruar hakmarrje të ashpër ndaj Uashingtonit, ndërsa Kina dhe Rusia kanë dënuar vrasjen e Qassem Soleimani, duke i bërë thirrje SHBA-së që të tregojë vetëpërmbajtje dhe të mos cenojë stabilitetin e Lindjes së Mesme./Fjala.al