Nga /Fjala.al/
Faza e dytë për aplikimin e përfitimit të shtëpive nis me pesë pika ku duhet të mbështetet aplikuesi që kërkon përfitim. Pra kjo fazë e dytë fillon në momentin e vënies në zbatim të programeve të procesit të rindërtimit. Bazuar në kërkesat specifike të çdo programi, njësia e vetëqeverisjes vendore ndjek procedurat, si më poshtë vijon:
a) miraton sistemin e pikëzimit;
b) klasifikon kërkesat për programet e procesit të rindërtimit, sipas sistemit të pikëzimit;
c) mbledh cilindo prej dokumenteve që vërteton statusin e familjeve të përmendura në pikën 8, të këtij vendimi, që e mbajnë organet publike në vend, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre;
ç) bën verifikimin e dokumentacionit, sipas pikës 8, të këtij vendimi, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e dorëzimit;
d) harton dhe miraton listën e përfituesve, mbështetur në listën e objekteve të vëna në dispozicion nga organi përgjegjës shtetëror;
dh) njofton familjet që përfitojnë nga programet specifike të procesit të rindërtimit, si dhe ata/o që nuk kanë përfituar, brenda 5 (pesë) ditëve nga data e miratimit të listës së përfituesve nga këshilli i njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Kandidatët që nuk kanë fituar caktohen të përfitojnë nga një program tjetër i procesit të rindërtimit.
Përfituesit
Kriteret e përparësisë për renditjen e përfituesve janë:
a) familjet që kanë humbur familjarët nga fatkeqësia natyrore;
b) familjet një-prindërore që kanë në ngarkim fëmijë, ku përfshihen edhe vajzat nëna;
c) familjet që kanë në përbërje personat me aftësi të kufizuara;
ç) të moshuarit, që kanë mbushur moshën e pensionit;
d) familjet në skemën e ndihmës ekonomike;
dh) të rënët në krye të detyrës.
Në fazën e dytë, dosja e çdo aplikanti duhet të përmbajë dokumentacionin që vërteton deklarimet e bëra në fazën e parë. Dokumentacioni i kërkuar sipas këtij vendimi, që mbajnë apo përgatisin organet publike në vend, sigurohet nga vetë struktura përgjegjëse e njësisë së vetëqeverisjes vendore, duke përjashtuar aplikantin nga detyrimi për paraqitjen e tyre, vetëm nëse aplikanti depoziton deklaratën e pëlqimit për mbledhjen e informacioneve/dokumenteve të lidhura me të. Nëse aplikanti nuk e dorëzon apo refuzon të firmosë këtë deklaratë, struktura përgjegjëse shkarkohet nga detyrimi i mbledhjes së dokumentacionit dhe ky detyrim i kalon vetë aplikantit. Dokumentacioni i nevojshëm sigurohet me shpenzimet e njësisë së vetëqeverisjes vendore, e cila, nëse është e nevojshme, mund të lidhë marrëveshje me strukturat përkatëse, në funksion të lehtësimit të marrjes së dokumentacionit.
Për vlerësimin dhe përzgjedhjen e përfituesve nga programet e procesit të rindërtimit, në bazë të kritereve të përcaktuara në këtë vendim dhe listës së objekteve të vëna në dispozicion nga organi përgjegjës shtetëror, kryetari i njësisë së vetëqeverisjes vendore, ku është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, krijon një komision të posaçëm, i cili vlerëson kërkesat e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit, në bazë të dokumentacionit përkatës dhe parashikimeve të këtij vendimi, si dhe harton listën e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit. Komisioni informon kryetarin e njësisë së vetëqeverisjes vendore në lidhje me listën e subjekteve që përfitojnë nga programet e procesit të rindërtimit, i cili lidh kontratën për kalimin e pronësisë së banesave te përfituesit, pas marrjes së miratimit të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore.
Roli i bashkive dhe trajtimi i kërkesave
Organet e vetëqeverisjes vendore bëjnë publike, nëpërmjet mjeteve të informimit publik në faqet e tyre të internetit dhe shpalljes në vende të dukshme pranë institucionit të tyre:
a) kërkesat që duhen plotësuar për t’u trajtuar nga programet e procesit të rindërtimit;
b) personat përgjegjës me të cilët duhet kontaktuar për plotësimin dhe ndryshimin e të
dhënave të formularit apo për çdo sqarim tjetër për plotësimin e tij;
c) dokumentacionin që kërkohet për verifikimin e të dhënave që deklaron subjekti i interesuar;
ç) procedurën që ndiqet nga njësia e vetëqeverisjes vendore për miratimin e përfituesve;
d) organin ankimor, të cilit duhet t’i drejtohet subjekti që nuk është përzgjedhur si fitues, si dhe afatet kohore.
Familjet, që kanë humbur banesat si pasojë e shembjeve të ndërtesave (pallateve), përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i rindërtimit të godinave në të njëjtin truall ose programi i fondit të banesave. Struktura e njësisë së banimit (apartament), që i kalohet në pronësi përfituesve në ndërtesat e reja, llogaritet sipas tabelës A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Strukturë njësie në kuptim të kësaj pike është sipërfaqja e shkelshme e banesës në numër dhomash, kuzhinë, korridor, banjë e ambiente ndihmëse.
Familjet në qytet, që kanë humbur shtëpitë individuale si pasojë e shembjes, përfitojnë nga programi i zhvillimit të zonave të reja ose programi i grante-ve të rindërtimit ose programi i fondit të banesave.
a) Sipërfaqja e banesës që i kalohet në pronësi përfituesve, në ndërtesat e realizuara në kuadër të programit të zhvillimit të zonave të reja ose në banesat e programit të fondit të banesave, llogaritet sipas tabelës A, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për truallin e shtëpisë individuale, përveç rastit kur për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit prona truall shpronësohet ose kompensohet sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.
b) Kur zona e re për zhvillim do të realizohet me shtëpi banimi individuale, familjet përfitojnë në pronësi shtëpi individuale banimi me sipërfaqe ndërtimi që llogariten sipas tabelës B, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij. Në këto raste, përfituesit ruajnë të drejtën e pronësisë për sipërfaqen e truallit që rezulton si diferencë e truallit të shtëpisë individuale të shembur me truallin e shtëpisë individuale banimi të re që përfitojnë, nëse ka, përveç rastit kur, për nevoja të zhvillimit të programeve të rindërtimit, kjo sipërfaqe trualli shpronësohet ose
kompensohet sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”. Në kontratën përkatëse të kalimit të pronësisë për shtëpinë individuale të re sipas kësaj pike, parashikohet dhe heqja dorë e përfituesit nga e drejta e pronësisë në favor të shtetit prej sipërfaqes së truallit të shtëpisë individuale të shembur, e barabartë me truallin e shtëpisë së re individuale.
c) Kur njësitë e vetëqeverisjes vendore ose autoritetet shtetërore përgjegjëse vendosin që të trajtojnë përfituesin me grant për rindërtimin e shtëpisë individuale zbatojnë kushtet dhe rregullat sipas parashikimeve të aktit normativ nr. 9, datë 16.12.2019, të Këshillit të Ministrave, “Për përballimin e pasojave të fatkeqësisë natyrore”.