Rrugët ngelen rrugëve, ARRSH borxh 4 miliardë lekë bizneseve

Autoriteti Rrugor Shqiptar trashëgon çdo fund viti një borxh nga 3 miliardë deri në 4 miliardë lekë për punimet në rrugë. Shifra është zbuluar nga një auditim që ka kryer Kontrolli i Lartë i Shtetit në ARRSH. Në raportin e bërë publik KLSH thotë se “në çdo fund viti, ARRSH vazhdon të trashëgoj të njëjtin  borxh ndaj subjekteve që shkon nga 3 miliard lekë në 4 miliard lekë”.  Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk ka bërë të ditur zë për zë detyrimet që ka ARRSH ndaj bizneseve por mësohet se bëhet fjalë për ndërtim rrugësh, supervizion dhe sinjalistikë.

Ndërkohë të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave në zërin detyrime të prapambetura mësohet se Ministria Infrastrukturës dhe Energjisë ka detyrimet të krijuara për periudhën Prill-Qershor 2019 janë në vlerën 622.7 milionë lekë si 3-mujor ose 1.8 miliard lekë progresiv deri në Qershor 2019, kryesisht referuar detyrimeve të ARRSH-së dhe AKUK-së për:

Ndërtim dhe sistemim rruge – 568.8 milionë lekë;

Vendime Gjyqësore – 375.5 milionë lekë;

Mirëmbajtje rrugore – 373.8 milionë lekë;

Supervizion dhe sinjalistikë – 37.3 milionë lekë;

Detyrime të ndërmarrjeve Ujësjellës-Kanalizime – 399.2 milionë lekë.

MIE nga stoku i muajit Mars 2019 ka trashëguar rreth 1.78 miliardë lekë detyrime.